Fushata destruktive e Serbisë, Kosova edhe këtë vit jashtë INTERPOL-it
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca javë më parë ka kërkuar në mbledhjen e qeverisë që të shqyrtohet mundësia që Kosova të mos aplikojë këtë vit për anëtarësim në INTERPOL.
Konjufca e ka bërë këtë propozim duke thënë se sipas analizave të brendshme të ministrisë së tij, Kosova nuk ka ndryshuar në pozicion sa i përket mbështetjes në krahasim me dy vitet e kaluara, prandaj sipas tij do të përfundonte me rezultat të njëjtë.
Më tutje, Konjufca propozoi po atë ditë që aplikimi të bëhet vitin e ardhshëm për arsye që të ketë më shumë kohë për përgatitje dhe për shkak të vendit më të përshtatshëm ku do të mbahet asambleja e INTERPOL-it, pra në Turqi.
E njohësit e çështjeve të sigurisë po e konsiderojnë si të drejtë propozimin e ministrit Konjufca për çështjen e INTERPOL-it.
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë është shprehur se do të ishte më mirë të bëhen përgatitjet para se të aplikohet, duke theksuar se është kohë e shkurtë që kjo të bëhet gjatë këtij viti.
“Unë mendoj që më mirë është të përgatitemi dhe të shkohet. Afati është i shkurtër dhe i ngushtë dhe mendoj se nuk do t’ia dalim as me lobim të mirëfilltë që t’i shfrytëzojmë partnerët strategjikë e as në mënyrë direkte sepse vendet që nuk na kanë pranuar do të jenë pengesë”, tha Ibishi.
Më tutje, Ibishi tha se edhe vendi ku do të mbahet asambleja e INTERPOL-it nuk i përshtatet Kosovës, duke e ditur që shumica e vendeve latine nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit.
“Një çështje tjetër është se asambleja e INTERPOL-it mbahet në vendet latine dhe vitin e ardhshëm do të jetë në Turqi kështu që më e rrugës do të ishte të përgatitemi për vitin tjetër, duke marrë parasysh kohën e shkurtër dhe vendin ku do të mbahet asambleja kur dihet se shumica e vendeve latine nuk na kanë njohur, pastaj e dijmë lobimin kundër Kosovës të Rusisë dhe Serbisë”, ka theksuar Ibishi.
Në fund, Ibishi ka konstatuar se Konjufca ka të drejtë sa i përket çështjes së aplikimit në INTERPOL.
“Mendoj që z.Konjufca ka të drejtë që më mirë të përgatitemi për vitin e ardhshëm sepse është vetëm hargjim dhe nuk ia dalim”, tha në fund Ibishi.
E eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami është shprehur se pavarësisht se janë plotësuar kushtet juridike për anëtarësim në INTERPOL, fushata e ashpër e Serbisë kundër Kosovës dhe pozita e pafavorshme e Kosovës në rrafshin diplomatik mund ta pengojnë anëtarësimin.
“Ne realisht pas aplikimit që e bëmë vitin e kaluar dhe duke e parë që edhe vendet që na kanë njohur si shtet ishin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatës më të madhe policore në INTERPOL, mendoj që pavarësisht asaj që zyra ndërlidhëse në aspektin juridik i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe duke e parë ku gjendemi në rrafshin diplomatik, mendoj që Kosova nuk është në situatë të mirë për shkak të ofensivës ekstreme të Serbisë dhe aleatëve të saj dhe po vërehet se Kosova nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave për anëtarësim në INTERPOL”, tha Islami për lajmi.net.
Më tutje, Islami është shprehur se Ministria e Punëve të Jashtme do të ketë llogaritur që edhe matematikisht nuk mund të bëhemi pjesë e INTERPOL-it, duke theksuar se është mirë të mos aplikohet këtë vit fare.
“Mendoj që ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, me stafin e tij e kanë llogaritur në mënyrë matematikore që nuk janë votat e mjaftueshme për anëtarësim dhe kjo është arsyeja pse Kosova tani nuk duhet të aplikojë për INTERPOL”, vazhdoi më tutje Islami.
Në fund, Islami tha se pa votat e sigurta për anëtarësim nuk duhet të ndodh aplikimi.
“Përfundimisht mendoj që pa i pasur votat e mjaftueshme mendoj që Kosova nuk duhet të aplikojë në organizatën më të madhe të policisë në botë”, tha Islami.
Vlen të theksohet se Kosova ka dështuar edhe vitin e kaluar të anëtarësohet në INTERPOL, gjë që kishte si konsekuencë taksën 100 për qind të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që sot është tema më e nxehtë në politikën kosovare.