“Fuqia” e votës së diasporës
Në prag të zgjedhjeve të sivjetme parlamentare, votat e diasporës po marrin vëmendjen e shtuar të subjekteve politike si asnjëherë më parë. Më shumë se 35 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, janë regjistruar si votues nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Votimi nga diaspora ka filluar më 19 shtator dhe përmbyllet më 5 tetor.
Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, por në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë, deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.
Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra, Franca e kështu me radhë.
Por, numri i votuesve nga diaspora vazhdon të mbetet i ulët.
Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka disa pengesa sa i përket pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet në Kosovë që ndërlidhen me interesimin e ulët, mungesën e dokumenteve dhe përfaqësimin e dobët të interesave të diasporës në institucionet e Kosovës.
“Interesat e diasporës nuk janë përfaqësuar mirë, për këtë është një interesim i ulët i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje”, thotë Emini.
Ka disa vjet që përfaqësuesit politikë në Prishtinë i premtojnë diasporës përfaqësim më dinjitoz në institucione, përfshirë edhe ulëse në Kuvendin e Kosovës. Por, këto premtime deri më tani nuk janë realizuar.
Po ashtu, Kosova nuk ka arritur të përdorë potencialin e diasporës, qoftë në aspektin ekonomik përmes investimeve direkte, qoftë në fusha të tjera.
“Ka pasur diskutime që të këtë ndryshime në përfaqësimin e diasporës në kuadër të reformës zgjedhore, por kjo ma mbetur në letër, në diskutime nuk është bërë asgjë. Kemi parë edhe në premtimet e subjekteve politike që flitet shumë për diasporën, por edhe këto premtime kanë mbetur pa asnjë veprim konkret nga partitë politike”, thotë Shpend Emini.
Ndërkohë, sipas organizatës joqeveritare ‘Germin’ që merret me organizmin e diasporës, janë rreth 350 mijë votues nga diaspora me të drejtë vote.
Liza Gashi, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, tha për Radion Evropa e Lirë se vota e diasporës është e rëndësishme për zgjedhjet në Kosovë. Sipas saj, numri i votuesve do të ishte më i madh nëse do të krijohej një sistem më i mirë i votimit për diasporën.
“Në këto zgjedhje nacionale, vota e diasporës është votë që e bën diferencën për këtë arsye është shtuar kuriozitet dhe dëshira për të ditur më shumë për gatishmërinë e këtij grupi social më të madh që ka Kosova. Nëse Kosova do të kishte pasur një sistem më të mirë elektoral, do të kishte pasur mundësi që përmes votës së diasporës të bëhen ndryshime të mëdha në vend, pasi që janë në numër mjaft të madh”, thotë Gashi.
Vite më parë, Ministria e Diasporës kishte kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës. Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë ndryshim lidhur me këtë.
Po ashtu në vazhdimësi, thotë Gashi, është kërkuar që të krijohen mekanizma për përfshirje direkte të diasporës në politikë dhe fusha të tjera, por që nuk është arritur të bëhet asgjë.
“Vota e diasporës është një infuzion i demokracisë në Kosovë dhe shpresojmë që në të ardhmen ky numër i votuesve të rritet, po në të njëjtën kohë të fillojmë të krijojmë mekanizma që nuk e trajtojnë diasporën vetëm në kohë zgjedhjesh, por gjatë tërë vitit dhe nuk merret vetëm me diasporën e suksesshme, por merret edhe me diasporën që ka nevojë për neve e që problemet e tyre do të duhej të adresohen se mbi të gjitha ata janë qytetarë të këtij vendi”, thotë Gashi.
Përfaqësimi i diasporës në institucionet e vendit ishte vlerësuar i domosdoshëm marrë parasysh edhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Kosova është njëri nga vendet me nivelin më të lartë të pranimit të remitencave. Vetëm vitin e kaluar, vlera e remitencave ka tejkaluar shumën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë në dekadën e fundit.
Diaspora po ashtu ka ngritur si shqetësim numrin e ulët të fëmijëve në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Sipas të dhënave të Ministrisë së Diasporës, nga viti 2011, vetëm pesë për qind e fëmijëve shqiptarë në diasporë janë përfshirë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ky numër ishte theksuar të jetë i ulët për shkak të mosangazhimit të institucioneve të Kosovës që të krijojnë kushte.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868.
Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.