Funksioni SOS satelitor i iPhone 14 disponohet edhe në Evropë
Funksioni SOS satelitor i destinuar për iPhone 14 është gjithashtu i disponueshëm për përdoruesit në Evropë, pra në disa vende evropiane.
Siç dihet tashmë, funksioni SOS satelitor përdoret për të kontaktuar shërbimet e urgjencës në rastet kur përdoruesi nuk ka një rrjet standard ose sinjal Wi-Fi. Funksioni fillimisht u përdor për përdoruesit e iPhone 14 në SHBA dhe Kanada, dhe tani po shpërndahet për ata në Evropë, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Irlandën dhe Britaninë e Madhe.
Funksioni është krijuar për të ndihmuar përdoruesit e iPhone në situata urgjente duke i lejuar ata të dërgojnë mesazhe te shërbimet e urgjencës nëse nuk kanë mjete standarde të kontaktit.
Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të kontaktuar me mjete konvencionale, iPhone 14 ofron opsionin “Raporto Emergjencën” dhe më pas shfaq një pyetësor qëllimi i të cilit është mbledhja e informacionit për situatën në të cilën ndodhet përdoruesi.
Përgjigjet dhe vendndodhja e përdoruesit, si dhe lartësia, gjendja e baterisë së celularit dhe kartela mjekësore, nëse ka, dërgohen në shërbimet e urgjencës. Gjithashtu, ekziston një mundësi për të njoftuar kontaktet e zgjedhura.
Funksioni SOS tashmë është testuar nga shumë njerëz dhe tashmë ka shpëtuar jetën e një burri në Alaskë.
Apple thotë se funksioni do të jetë i disponueshëm në edhe më shumë vende vitin e ardhshëm. Me blerjen e iPhone 14, shërbimi do të jetë falas për një periudhë dyvjeçare, por nuk dihet se sa do të kushtojë pas asaj periudhe falas.
Një modalitet demo është i disponueshëm për ata që duan të testojnë funksionin SOS.