Ftesat nga Specialja, OVL e UÇK-së nuk i përjashton protestat
Gjykata Speciale ka intensifikuar ftesat për intervistim të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm sot, katër ftesa të reja kanë arritur në Kosovë.
E, shtimin e numrit të ftesave në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po e shohin si të papranueshëm.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nuk e përjashton edhe mundësinë e organizimit të protestave, pasi sipas tij, kjo Gjykatë është raciste dhe e njëanshme.
Por, ai thotë se për këtë çështje do të takohen me Këshillin Drejtues të OVL-UÇK-së, ku edhe do të marrin vendim.
“Ne do të bisedojmë me Këshillin Drejtues se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm, nuk e përjashtojmë mundësinë e protestës. Por, njëherë duhet të ulemi dhe të bisedojmë e pastaj do të marrin vendim, a do të mbajmë protestë apo jo. Kështu që ende nuk kemi vendos asgjë, por mundësia e protestës edhe njëherë po e them nuk përjashtohet”, ka thënë Gucati për FaktePlus.
I pyetur, se kur pritet të merret ky vendim, ai ka deklaruar se ende nuk e kanë caktuar ndonjë datë.
“Nuk e kemi caktuar datën e saktë se kur do ta mbajmë takimin, por shumë shpejtë do të dalim me informatë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ftesat e Speciales për ish-luftëtarët e UÇK-së, i ka quajtur puro-politike dhe për ta kënaqur Serbinë.
“Ne kemi thënë edhe më herët që kjo gjykatë për ne është e papranueshme. Këto ftesa janë puro-politike dhe janë sa për me u kënaq Serbia, sepse ne e dimë kush ka bërë krime në Kosovë. Pra krimet i ka bërë Serbia me policinë, ushtarët dhe paramilitarët serbë, dhe për këtë arsye kjo gjykatë për ne është e papranueshme dhe kjo është arsyeja se përse kemi thënë se kjo gjykatë është raciste me plot kuptimin e fjalës, pra është gjykatë e njëanshme”, ka deklaruar Gucati.
Kurse duke folur për kundërshtimet që janë bërë për themelimin e kësaj gjykate, Gucati ka pohuar se e kanë kundërshtuar edhe në Parlament dhe se sot e asaj dite kjo gjykatë për ta është e papranueshme.
Sipas, Gucatit sa i përket protestave do të veprohet gjithmonë në bazë të situatës.
“Ne shkojmë konform situatës, varet se si do të jetë situata ashtu do të veprojmë. Ne nuk jemi që ta prishim vendin tonë, nuk dëshirojmë t’i shkatërrojmë institucionet tona për të cilat është derdhur gjak, kështu që ne nuk jemi për atë që të dalim në shesh dhe të dalim jashtë kontrollit. Pra, ne do të veprojmë në bazë të situatës”, ka thënë ai.
Sot nga Gjykata Speciale ftesë kanë marrë ish- deputeti dhe ish- rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i dënuari për rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla, ish- ushtari i UÇK-së, Jetullah Krasniqi si dhe Fazli Behrami, pjesëtar i brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, në Zonën Operative të Drenicës.
Gjatë ditës së djeshme Specialja, ka ftuar për intervistim edhe ish- komandantin e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën, si dhe Naim Miftarin dhe Isni Kilajn.
Të premten ftesë nga Specialja ka marrë edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Nuredin Ibishi.
Ndërsa, gjatë së enjtes Specialja, ka ftuar edhe ish- komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin si dhe ish- ushtarin e UÇK-së, Salih Mustafën.
Të mërkurën nga kjo gjykatë është ftuar edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Gjatë së martës, së javës së kaluar Specialja ka dërguar edhe tri ftesa të tjera për ish-ushtarët e UÇK-së.
Bëhet fjalë për Fadil Bekën, i cili gjatë kohës së luftës ka shërbyer si mjek i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, si dhe për dy ish- pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopin dhe Sejdi Veselin. /FaktePlus