Ftesa e Hotit për takim me liderët, kështu u përgjigjen, VV, AAK, Nisma e PDK
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, iu ka dërguar ftesa liderëve të partive politike në vend, për takim para vizitës së tij në Uashington që do të mbahet me 27 qershor.
Në takimin e thirrur nga Hoti e që do të mbahet nesër nga ora 11:00, Vetëvendosje dhe PDK nuk do të jenë pjesë. Nga Vetëvendosje kanë deklaruar se Hoti pasi që sipas tyre Hoti njëherit është dashur që të raportoj në Kuvend. Ndërsa nga PDK thonë se Kosova ka një traditë të koordinimit dhe bashkërendimit për cka sipas tyre Hotit i mungon kjo.
Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje ka thënë se nuk marrin pjesë në tryeza të cilat kanë qëllim legjitimitetin e planeve të projektuara nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Sigurisht që ne nuk mund të bëhemi pjesë e tryezave të tilla, të cilat kanë për qëllim vetëm legjitimimin e planeve të projektuara nga presidenti Thaçi”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa nga Partia Demokratike kanë thënë që kryeministri Hoti duhet që të reflektojë para një ftese tjetër dhe të jetë më serioz.
“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz.”, ka reaguar PDK.
Për dallim nga VV e PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate do të shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri Hoti.
Deputetja e AAK- së, Teuta Haxhiu, për FaktePlus ka thënë që do të marrin pjesë në këtë takim.
“Nesër kryeministri Hoti na ka thirrur në një takim për të diskutuar rreth qëndrimeve për takimin e 27 qershorit në Uashington dhe ne do të marrim pjesë”, ka thënë Haxhiu për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ftesa e Hotit për takim me liderët, kështu u përgjigjen, VV, AAK, Nisma e PDK
Ndërsa Endrit Shala nga Nisma ka thënë që kjo parti do të marrë pjesë në takimin me kryeministrin Hoti.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nesër do të marrin pjesë në takimin e kërkuar nga Hoti.
“Po sigurisht, kryetari Limaj do të merr pjesë në takim, pasi që ne jemi pro dialogut”, pohoi Shala.
Ky takim i thirrur nga kryeministri Hoti, është bërë një ditë pasi përfaqësuesit e Republikës së Kosovës janë ftuar nga presidenti i SHBA- ve./FaktePlus