FSShK: Gjendja është alarmante, Kosova rrezikohet të mbetet pa mjekë e infermierë
Pamundësia për të gjetur një vend pune, kushtet jo të mira të punës, si dhe mirëqenia jo e kënaqshme e punëtorëve shëndetësorë dhe politizimi i institucioneve, kanë bërë që shumë nga mjekët e infermierët të ikin nga Kosova.
Vetëm brenda këtij viti, janë rreth 300 infermierë që morën rrugën për në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian. E në rast se vazhdon një trend i tillë, atëherë në 10 vitet e ardhshme Kosova rrezikon të mbetet pa kuadër profesional të punëtorëve shëndetësorë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se kjo situatë është alarmante për vendin.
“Janë diku rreth 300 infermierë që kanë ikur. Por nëse vazhdon trendi dhe bazuar në kërkesa që ka sidomos Gjermania, atëherë në 10 vitet e ardhshme mbesim pa kuadër profesional. Numri i infermierëve që po ikin nga Kosova, veçse është rritur. Por bazuar vetëm nga kërkesat që këtë viti kanë kërkuar në Odën e Mjekëve janë 150 mjekë të cilët po shikojnë rrugën drejt vendeve evropiane. Dhe kjo është situatë alarmante”, tha Syla për FaktePlus.
Ai ka treguar edhe shkaktarët që po çojnë një pjesë të madhe të mjekëve e infermierëve të marrin rrugën për në vendet e Bashkimit Evropian.
“Problem është punësimi, janë të ardhurat apo mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë dhe e treta politizimi i skajshëm në institucionet shëndetësore. Po emërohen njerëz pa merita, dhe punëtorët shëndetësorë janë të nënçmuar dhe të ofenduar dhe këto janë shkaqet që punëtorët shëndetësor po ikin dhe po e lënë Kosovën”, thekson ai.
Për të zgjidhjen e kësaj situate, Syla thotë se duhet të shpallet krizë nacionale dhe të ndërmerren hapa radikal.
“Shumë shpejt do të sigurojmë dhe një hulumtim tjetër, por nëse këtu politika nuk do të merret ne do të ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve shëndetësorë. Në këtë drejtim ne duhet të bashkëpunojmë dhe të shpallim një krizë nacionale për të parë se qysh të punësohen studentët që po përfundojnë universitetet e jo që po mbetën rrugëve dhe punësimet të bëhen reale dhe jo në bazë të interesave partiake e cila tashmë po ndodhë në Kosovë, ku punësohen në mënyrë partiake”, tha Syla për FaktePlus.
Si do qoftë një hap për përmirësimin e kushteve dhe të ardhurave për punonjësit shëndetësorë është ndërmarrë sivjet nga institucionet e vendit.
Me miratimin e ligjit të ri për paga, i cili pritet të implementohet në fund të vitit, mjekët dhe infermierët kosovarë, do të kenë paga mjaft të larta, madje më të larta se në vendet tjera fqinje.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës si qendër terciare, referente për tërë Kosovën, ka gjithsej 1900 infermierë të profileve të ndryshme, por që si numër, del të jetë i pamjaftueshëm. Ndërkaq, në gjithë sistemin publik shëndetësor, janë rreth 6.500 infermierë të punësuar.
Kurse Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës parasheh se për një sistem të mirëfilltë, dhe për t’i plotësuar nevojat e pacientëve, do duhej edhe punësimi i rreth 4 mijë infermierëve.
Kujtojmë që Oda e Infermierëve të Kosovës tashmë është bërë anëtare e Organizatës Botërore të Asociacioneve Ndërkombëtare. Kjo u mundëson infermierëve që t’u njihen licencat jashtë Kosovës, gjë që deri më tani nuk ka qenë./FaktePlus