FSK e gatshme për të ndihmuar kroatët nga tërmeti
Gjatë ditës së djeshme një tërmet i fuqishëm prej 6,3 ballësh goditi kryeqytetin kroat Zagreb.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash në Petrinja të qytetit Sisak, rreth 51 kilometra në juglindje të kryeqytetit.
Nga kjo fatkeqësi natyrore humbën jetën 7 persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën në incidentet e lidhura me tërmetin. Në Petrinjë dhe Sisak po ashtu u dëmtuan disa ndërtesa.
E ndaj kësaj tragjedie Institucionet e Kosovës kanë shprehur gadishmërinë për ta ndihmuar shtetin e Kroacisë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar letër kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, të cilit i ka shprehur keqardhjen për viktimat e tërmetit dhe i ka ofruar mbështetjen e institucioneve të Kosovës për t’u përballur me pasojat.
Kryeministri Hoti duke ngushëlluar homologun e tij kroat për humbjen e jetëve dhe shkatërrimeve nga tërmeti, i ka ofruar atij mbështetjen e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për misionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Kroaci.
“Si vend mik dhe si aleat, Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Kroacinë dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka në kapacitetet tona për të lehtësuar vuajtjet dhe për të tejkaluar sa më shpejtë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Populli i Kosovës është këtu për të ndihmuar dhe kjo ndihmë ofrohet me gjithë zemër”, thuhet në letrën e kryeministrit Hoti.
Ndërkaq nga Ministria e Mbrojtjes janë deklaruar se janë të gatshëm që të intervenojn në Kroaci pas termetit që ndodhi dje.
Ibrahim Shala, zëdhënës në Ministrinë e Mbrojtjes për FaktePlus është deklaruar FSK është e gatshme për përmbushuar misionin e saj.
“ Duke shprehur keqardhjen dhe solidaritetin me popullin e Kroacisë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i ka shprehur gatishmërinë për mbështetje homologut të tij, shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, admiralit Robert Hranj, për angazhim me njësitë e FSK-së të specializuara për operacione të kërkim-shpëtimit. FSK është gjithmonë e gatshme të përmbush misionin e vet. Përfshi këtu edhe për të intervenuar në rastet e emergjencave në regjion. Këtë e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën, siç ishte rasti në Shqipëri”, është shprehur Shala për FaktePlus.
Ndryshe FSK pati ndihmuar edhe Shqipërin vitin e kaluar nga tërmeti 6.4 ballësh i 26 nëntorit ku mbetën të vdekur 51 persona /FaktePlus