Fshesa e Burim Berishës: Shkarkon e emëron disa drejtorë të komunës

Komuna e Fushë Kosovës drejtohet nga anëtari i LDK-së, Burim Berisha, i cili pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve mori vendim për ndërrimin e drejtorëve komunalë.
FaktePlus mëson se gjysma e drejtorëve komunalë janë ndërruar nga kryetari Berisha. Madje drejtori i arsimit, Islam Shabani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë që ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin.
“Ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit komunal për arsim në Fushë Kosovë. Arsyeja është mospajtimet e mia me Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës për gjendjen e krijuar ne arsimin e Komunës sonë .”, ka thënë Shabani.
FaktePlus ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e kësaj komune, mirëpo Berisha nuk e ka qenë i qasshëm.
E përgjigje për këtë tollovi në komunë ka dhënë zëdhënësi Ali Topalli.
Ai për FaktePlus ka thënë që nuk ka pasur vendim për të gjithë drejtorët mirëpo janë ndërruar drejtorët e arsimit, kulturës dhe financave.
“Nuk ka ndonjë vendim për të gjithë drejtorët. Deri tani janë bërë disa ndryshime në disa drejtori, si arsim, kulturë, financa. Ndryshime do të ketë edhe në ditët e ardhshme. Qëllimi i këtij ndryshimi është vetëm që të sillet një freski nëpër dikastere. Pra po bëhet për të mirën e komunës.”, ka thënë Topalli për FaktePlus.
Tash mbetet të shihet në ditët në vijim, nëse fshesa e Burim Berishës do të vazhdojë me shkarkime.