Fshehu rreth 150 mijë euro, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një zyrtari
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.B, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të përfitimit për vete ose për personin tjetër, në cilësinë e arkëtarit kryesor në bankën “NLB” me seli në Prizren, pranon një shumë të lartë të frangave zvicerane për konvertim, të cilat i kthen në para të gatshme prej 147 mijë eurosh, por nuk i fut në sistem.
“Pastaj, kur zbulohet nga punëdhënësi, shumën gjegjëse të mjeteve të nesërmen përmes vartësve të tij ilegalisht e kthen në bankë”, thuhet në aktakuzë, përcjell FaktePlus
Ky është njoftimi i Prokurorisë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar
Prizren, 11 qershor 2020 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (04/L-082).
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që me datë 30.12.2016, në cilësinë e arkëtarit kryesor në bankën “NLB”, me seli në Prizren, pranon nga bashkëpunëtori i klientit të bankës E.Sh., – pronar i këmbimores “Euro-Eki”N.Sh., një shumë të lartë të valutave të frangave zvicerane për konvertim, e pastaj i’a kthen në para të gatshme shumën prej 147,000.00 euro, të cilat nuk i fut në sistem. Pastaj, kur zbulohet nga punëdhënësi, shumën gjegjëse të mjeteve të nesërmen përmes vartësve të tij ilegalisht e kthen në bankë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.