Fshatrat e Kosovës që kërkuan dhe janë në pritje të bëhen komuna
Një numër goxha i madh i vendbanimeve, respektivisht fshatra nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës ka vite që kanë kërkuar dhe ende po presin që të bëhen komuna.
Në sirtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga viti 2016 qëndrojnë 19 kërkesa për themelimin e komunave të reja, por asnjë nga ato kërkesa deri tani nuk është plotësuar.
Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tregojnë arsyen pse nuk janë plotësuar këto kërkesa.
Zyra për komunikim me publikun e MAPL-së sqaron se gjithë kërkesat e adresuara kanë përmbajtur vetëm një përshkrim sipërfaqësor, duke mos dhënë as numrin e banorëve dhe elemente të tjera të rëndësishme që mundësojnë një vendbanim për t’u bërë komunë.
“Në Ministritnë e Administrimit të Pushtetit Lokal janë paraqitur 19 kërkesa për themelimin e komunave të reja, për të cilat kërkesa MAPL e ka njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kërkesat e adresuara kanë përmbajtur vetëm një përshkrim sipërfaqësor, nuk tregojnë numrin e banorëve, arsyeshmërinë ekonomike, si dhe shumë elemente të tjera që janë të domosdoshme për një komunë potenciale”, thuhet në një përgjigje të MAPL-së dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Mirëpo, kërkesat e gjertanishme për krijimin e komunave të reja dhe premtimet e herë pas hershme të politikanëve duket se duket se janë bërë pa ndonjë vlerësim adekuat dhe bazë ligjore.
Thujse në 19 kërkesat mungon kriteri bazë për minimumin e popullsisë dhe hapësirën territoriale që duhet të përmbushin komunat e reja.
“Një ndër kushtet ligjore është edhe konsultimi me komunitetet joshumicë, me c’rast Qeveria do të hyjë në konsultime me komunitetet joshumicë, në rastet kur ky komunitet përbën së paku 75% të popullsisë në një vendbanim të përqendruar në zona kadastrale të bashkëlidhura me popullsi të gjithëmbarshme prej së paku 5000 qytetarësh, me qëllim të krijimit të komunave të reja”, thuhet më tej në përgjigjen e MAPL-së.
Kujtojmë se pas zgjedhjeve të para lokale në vitin 2000, në Kosovë u funksionalizuan 30 komuna, si njësi bazike të vetëqeverisjes lokale. Në vitin 2005, administrata e UNMIK-ut filloi pilot-projektin për krijimin e komunave të reja. Fillimisht u krijuan pilot-njësitë komunale në Junik, Mamushë dhe Han të Elezit. Këto tri pilot-njësi komunale u shndërruan në komuna me kompetenca të plota pas zgjedhjeve lokale të 2009.
Po në vitin 2009, u krijuan edhe katër komuna të reja, në këtë rast serbe pasi ishin paraparë në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës. Kështu komunë u bë Parteshi, Kllokoti, Graçanica dhe Ranillugu.
Kujtojmë se premtime për fshatra të ndryshme se do të bëhen komuna kanë dhënë edhe politikanët, kryesisht në kohë fushatash elektorale. Të shtyrë nga këto premtime banorë të vendbanimeve të shumta kanë bërë kërkesa që të bëhen komuna, por ende qëndrojnë në sirtarët e qeverisë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus sjell listën e plotë të gjithë vendbanimeve të cilat kanë kërkuar dhe presin për t’u bërë komuna:
I Zhegër – Komuna e Gjilanit
II Orllan – Komuna e Podujevës
III Runik – Komuna e Skenderajt
IV Zym – Komuna e Prizrenit
V Rogovë – Komuna e Gjakovës
VI Hogosht – Komuna e Kamenicës
VII Reçan – Komuna e Prizrenit
VIII Orllan – Komuna e Podujevës
IX Gorë – Komuna e Prizrenit
X Rogaçicë – Komuna e Kamenicës
XI Krushë e Madhe – Komuna Rahovec
XII Vitomiricë – Komuna e Pejës
XIII Komoran – Komuna e Gllogocit
XIV Ponashec – Komuna e Gjakovës
XV Llapjas (ish Kërpimeh) – Komuna e Podujevës
XVI Janjevë – Komuna e Lipjanit
XVII Pozharan – Komuna e Vitisë
XVIII Xërxë – Komuna e Rahovecit
XIX Magurë – Komuna e Lipjanit