Fshati Zhegër pritet të dalë nga karantina, i infektuari është shëruar plotësisht
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se është lajm i mirë për shërimin e plotë të një qytetari të prekur me Covid-19, ndërkaq deri tani janë 4 qytetarë të shëruar plotësisht.
Ai tha se në vetizolim janë 11 qytetarë dhe në ditët në vijim, fshati Zhegër do të lirohet nga karantina, pasi atje tashmë është shëruar plotësisht një pacient dhe të gjitha testet kanë dalë negative dhe nuk ka më asnjë të prekur.
Edhe sa i përket rastit të fundit, Haziri ka potencuar se angazhimi do të jetë maksimal dhe mbështetja institucionale do të jetë maksimale, ndërsa ka apeluar për vetëpërmbajtje dhe qëndrim në shtëpi.
“Rasti i fundit i paraqitur më 7 prill i një qytetari I. S. 56-vjeçar është i lokalizuar dhe po përcillet me kujdesin maksimal të mjekëve dhe ekipeve emergjente. Bazuar në historikun e kontakteve, ai si komercialist ka pas kontakte nga jash të Gjilanit dhe si duket prekja me virusin ka ndodhur jashtë komunës sonë. Gjendja e pacientit është duke u monitoruar, por sipas ekipeve mjekësore, gjendja e tij sot është më e mirë, ndërsa familja është vetizoluar dhe nuk ka vend për shqetësim”, tha Haziri.
Ai ka paralajmëruar se përmes inspektoratit, do të monitorohet gjendja te të gjitha ekonomitë shërbyese në sektorin privat, për respektimin e rekomandimeve për distancën dhe masat mbrojtëse të qytetarëve dhe punëtorëve që punojnë.
“Në rast se nuk respektohen rekomandimet e institucioneve të shtetit për distancën dhe masat mbrojtëse, detyrohemi që t’i mbyllim veprimtaritë biznesore, përkundër që Komuna e Gjilanit nuk dëshiron të arrijë në këtë nivel”, ka thënë Haziri.