Fryma shpirtërore e vargjeve
Violeta ALLMUÇA- Shkrimtare
(Vështrim mbi librin “Në ëndrra digjet nata” të poetit Hasan Qyqalla)
Vëllimi poetik “Në ëndrra digjet nata” i poetit Hasan Qyqalla shpreh “UNIN” poetik me vetveten e fjalës poetike brenda ngazëllimit të ëndrrës, sepse poetët nuk mund të zgjohen dhe të jetojnë pa ëndërruar. Mu në sfondin e çdo vargu poeti është zgjuar me realitetin kohor nga një ëndërr. Poeti nuk fsheh asnjë ëndërr. Në boshtin e poezive lirike ai shpalos vargjet e tij qofshin të hidhura apo të ëmbla me zërin e vet. Thellë brenda ëndrrës na përcjell reflekse të tilla që kanë një interval narracioni emocional e ndjesor ku i këndohet dashurisë, mallit, atdheut apo dhimbjes, duke e kthyer poezinë në një thellim të brendshëm për lexuesin. Në dimensionet universale ku vetëdija e krijuesit nuk ndahet nga e shkuara dhe drita e së ardhmes, shfaqet njeriu, me një kuptim të kthjellët. Përjetimet individuale e shtyjnë një poet ta mendojë vetveten humane nga fillimi deri në fund të çdo vargu dhe të besojë se ecën në një udhë me ëndrra së bashku me poezinë e tij. Është pothuajse e qartë se eksplorimi i jetës nëpërmjet përjetimit të vetvetes përbën të magjishmen që rrjedh në brendinë e lirikës e cila përshkon shumë nga poezitë në këtë libër. Komunikimi artistik kthehet kështu në një pohim të qenies dhe nëpërmjet saj ai shpreh të vërtetën artistike për vetë njeriun duke bartur të bukurën estetike. Shndërrimi i poezisë në objekt për lexuesin nëpërmjet energjive të brendshme të autorit, karakteristike e vargjeve është objektiviteti i qenies artistike për jetën.
Le të dëgjojmë zërin e tij në poezinë: “Jetëbesë”. Nuk kam kohë tani as për vdekje të hershme/ “Formulën e pagëzimit” e mbajmë në gji/ me shkronjat e plisit për mote t`mistershme/ veç fjalë për jetëbesë… dhe dashuri.
Struktura poetike e këtyre vargjeve ndërtuar nga vetë objekti poet ku ndjehet fryma shpirtërore, na vjen po nga vetë qenia artistike shfaqur në kohë dhe hapësirë për lexuesin. Autori ligjëron në stilin e tij unik me vargje që i rizbulon për qenien njerëzore. Kështu ai shprehet për atdheun, tokën, dhimbjen, dashurinë dhe jetën me gjithë qenësinë tij. Duke përdorur figura letrare në veçanti metaforën, “shkronjat e plisit”, poeti zbulon botën e një populli që flet me fjalëbesë. Kjo është natyrisht edhe qenia e brendshme e njeriut shqiptar, pra objekti i fjalës të cilin autori e përfaqëson denjësisht në vargjet e tij. Përveç fjalës së arrirë poetike autori merret edhe me semantikën, pra kuptimin e saj artistik letrar teksa më kujton Octavio Paz i cili shkruan: “Poezia nuk është e pakuptueshme, është e pashpjegueshme”.
Përmes strukturës poetike të këtyre poezive ku qenia shpirtërore e vetvetes shkrihet me qenien e lexuesit, ai shpreh edhe për botën e jashtme njerëzore, idetë, tematikën, mendimet dhe emocionet të cilat e plotësojnë edhe nga ana estetike poezinë bashkëkohore të lëvruar nga ky poet i mirënjohur me një gjuhë artistike.
Le të vazhdojmë të flasim për poezinë: “Çast”…Për një çast/ ëndrrat valojnë si flamuj/mesditës së brishtë/Nga qielli a shpirti/borë do të bjerë? Këtu autori përdor krahasimin e ëndrrave me flamuj. Shpirtërorja si qenie më e thellë e vargut të lirë, bën dialog me jetën për të rizbuluar thelbin metafizik të çdo qenieje duke përzgjedhur edhe fjalën artistike dhe figurën letrare, aq e domosdoshme për gjininë e poezisë. Jo çdo lloj vargu na flet për një poezi të sukseshme nëse semantika e saj nuk kuptohet. Atëherë poezia do të shfaqet lakuriq dhe do jetë e shpjegueshme. Poezia nuk ka zë, nuk ka ritëm. Askush nuk dëshiron të lexojë të tilla poezi. Miliona poezi shuhen në të gjithë globin pasi nuk janë të lexueshme.
Le të vijojmë leximin poetik: “Në planetin tim”. Më lerë të qetë sonte/në planetin tim…/dashuri/s`u lodhëm kurrë së dashuri/ as unë, as ti…
Planetet janë trupa qiellorë që rrotullohen rreth Diellit dhe marrin prej tij dritën për të ngrohur tokën. Poeti Hasan Qyqalla zbulon në poezi edhe planetin metaforik të dashurisë, pothuajse një planet shpirtëror ku ngjizen vargjet poetike. Përditshmëria dhe pikëvështrimi artistik i japin jetës vlerën më të madhe brenda qenies njerëzore, po ashtu qedhe qenies poetike. Këto vargje të bukura janë të përplotësuara artistikisht. Në poezinë: “Dëshmitare – nata” lexojmë: A thua do ta fshij/nata testamenin?!/Nesër të shkruaj buzëqeshjen/dhe amanetin. Kjo poezi shfaqet në lëvizje. Del nga ëndrra e njeriut. Poeti kohëpaskohe flet me gjuhën e ëndrrave, i bën ato të prekshme, konkrete duke na përcjellë pasurinë shpirtërore, pasi vetë poezia lind nga një shpirt. Poezia është pasuri më e rrallë për artin e çdo krijuesi me vepra të mirëfillta artistike.
Le të lexojmë mesazhin e poezisë: “Kosova ime”. Tunden rrathët e purgatorit/mekur/ti gjysmëgjallë e unë gjysmëvdekur!/Kosova ime,/… apo/durimi ynë-një shekull/. Kjo poezi e shkruar me ndjeshmëri të lartë kulmore e drithëron poetin dhe lexuesin. Është një moment i gjallë artistik i qenies krijuese që lëshon dritë në terrin e purgatorit. Poeti kërkon ta ndriçojë edhe qenien tonë. Poeti dhe lexuesi përjeton momentin shpirtëror dhe artistik, të këtij poeti të veçantë në letërsinë shqipe ku jemi dëshmitarë që na sjell vlera të larta, artistike dhe estetike.