Frashër Krasniqi: Iu kemi thënë se Kurti është rrezik për Kosovën
Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili tashmë aktivitetin e tij politik e ushtron në Partinë Socialdemokrate të Dardan Molliqajt, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dramatike dhe paralajmërimet e SHBA’së për tërheqje të trupave nga Kosova.
Krasniqi thotë se janë etiketuar si tradhtarë kur kanë thënë se “Albin Kurti është rrezik për Kosovën”.
Një reagim të tillë Krasniqi e ka bërë në llogarinë e tij zyrtare në ‘facebook’.
“Kur thojshim “Albin Kurti është rrezik për Kosovën”, na thojshit tradhëtarë”, ka shkruar Krasniqi.
Mbrëmë senatori amerikan, David Perdue, kishte thënë se nëse Kosova nuk e heq taksën atëherë SHBA’ja duhet të rishqyrtojë praninë ushtarake.
Ndërkohë një qëndrim të tillë e kanë shpërndarë edhe Richard Grenell dhe Robert O’Brien.
E sikur të mos mjaftonte kjo, djali i Donald Trump, ka thënë në mënyrë të qartë se “është koha që forcat amerikane të kthehen në shtëpi”.