Franca vendos që t’i hapë arkivat sekrete, pritet zbulimi i krimeve në Algjeri
Franca njoftoi të premten se së shpejti do t’i hapë për publikun pjesët më të klasifikuara të arkivave kombëtare rreth luftës algjeriane për pavarësi, duke hedhur dritë në disa nga kapitujt më të errët në historinë e Fracës së shekullit XX.
Mes viteve 1954 e 1962, Franca nisi luftë kundër një lëvizje për pavarësi në atë që në atë kohë e kishte koloni. Qindra mijëra algjerianë u vranë dhe forcat franceze dhe grupet përkrahëse të tyre ushtruan torturë ndaj kundërshtarëve, sipas historianëve.
“Ne duhet që ta kemi kurajon për ta shikuar në fytyrë të vërtetën historike”, tha ministrja franceze e Kulturës, Roselyne Bachelot, kur e dha njoftimin për hapjen e arkivave, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Luftimi në Algjeri e kishte trazuar Francën dhe kishte nxitur puç të dështuar kundër presidentit të atëhershëm, Charles de Gaulle, për t’ia parandaluar largimin e pushtetit francez. Gati 60 vite pas përfundimit, kjo ngjarje është ende temë e ndjeshme dhe përçarëse në Francë.
Sipas njërit nga historianët më të njohur francezë për Alegjerinë, Benjamin Stora, deklasifikimi i arkivave është hap i rëndësishëm drejt të kuptuarit më të mirë të luftës. “Mund ta dini se cilët njerëz ishin nën vëzhgim, të ndjekur të arrestuar. Është i tërë zinxhiri, që çon deri te masat shtypëse, që mund të zbulohet”, i tha ai agjencisë “Reuters”.
Algjeria ishte nën pushtetin e Francës për 132 vjet derisa e fitoi pavarësinë më 1962.
Njoftimi për hapjen e arkivave u dha vetëm dy ditë pas vizitës së kryediplomatit francez, Jean-Yves Le Drian, në Algjeri. Ai zhvilloi bisedime me Presidentin e Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, me qëllim të ringjalljes së dialogut mes dy palëve, pas përkeqësimit të ndjeshëm të raporteve.