Franca shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit
Të shtunën, autoritetet shëndetësore thanë se janë regjistruar 10,561 raste të reja, mbi një mijë më shumë se të premten.
Numri i personave të dërguar në spitale dhe reparte intensive gjithashtu është duke u rritur, shkruan BBC.
Një grup mjekësh kanë bërë thirrje që njerëzit t’i shmangin tubimet publike për shkak të rrezikut nga vala e re e përhapjes së virusit.
“Pas kënaqësisë së ribashkimit këtë verë, është koha të jemi të kujdesshëm në botën private”, thanë mjekët përmes një shkrimi të publikuar në gazetën “Le Journal du Dimanche” të dielën.
“Sa më e vogël të jetë një dhomë, sa më shumë njerëz të ketë brenda, sa më pak e ajrosur të jetë ajo, aq më shumë e rrisni rrrezikun”, thuhet në këtë shkrim.
Shkalla e infeksionit është rritur për të gjitha grupmoshat që nga qershori, por zyrtarët thonë se rritja është veçanërisht e dalluar te të rinjtë.