Franca shënon 5-vjetorin e sulmeve në Paris, kur u vranë 130 persona
Franca të premten po e shënon përvjetorin e pestë të sulmeve xhihadiste në Paris, kur kryeqyteti u përfshi nga terrori me të shtëna e shpërthime në disa lokacione.
Nga sulmet e vitit 2015 në Paris mbetën të vrarë 130 persona, ndërsa 350 të tjerë u plagosën. Ky ishte krimi më i rëndë në dekadat e fundit në Francë, shkruan BBC.
Sulmuesit e armatosur që ishin futur në teatrin “Bataclan”, ku po mbahej një koncert roku, i kishin vrarë 90 njerëz, të cilët nuk kishin mundësi as të iknin në sallën e mbushur plot.
Përgjegjësinë për këto sulme e kishte marrë grupi i ashtuquajtur Shteti Islamik, që nga tërë bota cilësohet si organizatë terroriste.
Sulmuesit, përpos në teatër, kishin kryer sulme edhe në stadiumin “Stade de France” dhe në qendër të Parisit.
Pesë vjet më pas, Franca përsëri është në gjendje të lartë alarmi për shkak të rrymave ekstremiste. Në javët e fundit ky shtet i ka përjetuar tri sulme, përfshirë vrasjen e mësuesit Samuel Paty muajin e kaluar.
Disa ditë më pas, tre pesona u vranë në një sulm tjetër në një kishë në jug të Francës.
Në janar të vitit 2015, revista “Charlie Hebdo” u sulmua nga dy persona të armatosur, me ç’rast 12 persona ishin vrarë, ndërsa policia më vonë i kishte vrarë sulmuesit.