Franca eliminon Anglinë nga Kupa e Botës
Franca ka arritur ta mposht Anglinë me rezultat 2-1 për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
‘Gjelat’ ishin të parët që rrezikuan me Olivier Giroud, i cili gjuajti, por në vend ishte Jordan Pickford.
Por në minutën e 17-të, Franca arriti të shënojë me Auriel Tchouamenin që lëshoi një goditje të fortë nga distanca për të gjetur rrjetën për 1-0.
Anglia tentoi të kthehej në lojë, pasi rrezikoi fillimisht me Luke Shaw nga një goditje dënimi, por Hugo Loris ishte në vend.
Pas tij ishte radha e Harry Kane që në minutën e 22-të, humbi rast të mirë.
‘Tre luanët’ kërkuan penallti në minutën e 25-të, por gjyqtari nuk ishte i atij mendimi.
Në minutat e fundit të pjesës së parë kishte tempo, por rastet e mira munguan.
Fraksioni i dytë nisi më mirë për ‘Tre Luanët’, ku rrezikuan me Jude Bellingham dhe Harry Maguire, por Hugo Loris nuk lejoi të befasohej.
Në minutën e 52-të, Anglia fitoi penallti kur Tchouameni rrëzoi në zonë Bukayo Sakan. Nga pika e bardhë ishte i saktë Harry Kane që shënoi për 1-1.
Anglezët kishin rast të mira që të merrnin epërsinë, kur fillimisht Harry Maguire me një gjuajtje me kokë goditi shtyllën, ndërsa pas tij Bellingham u rrëzua në zonë duke kërkuar penallti, por gjyqtari nuk mendoi për pikën e bardhë.
Në minutën e 77-të, Giroud gjuan bukur nga brenda zonës, por Pickford bëri një pritje të madhe.
Pas një minute, Gjelat kthyen epërsinë për 2-1, kur Olivier Giroud u gjend mirë në zonë pas një harkimi të Antoine Griezmann për të shënuar në portën e Pickford.
Por se kjo ndeshje ishte e zjarrtë, e tregon edhe minuta e 80-të, kur Mason Mount pengohet në zonë nga Theo Hernandez, e gjyqtari pas dy minutash akordoi penallti, pasi e shikoi rastin në VAR.
Harry Kane edhe një herë e mori përsipër gjuajtjen e penalltisë, por kësaj radhe goditja e tij ishte e dobët dhe shkoi mbi portë.
Anglia në minutat e fundit u mundua me të gjitha forcat që të gjejnë golin që do t’i dërgonte në vazhdime, por nuk ia arritën.
Franca kalonë në gjysmëfinale ku do të përballet me Marokun.