Franca do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ambasadoren e re të Francës, Marie Christine Butel, nga e cila ka marrë përkrahje për Kosovën.
“Franca është një partner i rëndësishëm i shtetit të Kosovës, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në projekte të rëndësishme për vendin, si në fushën ekonomike, sociale dhe ngritjen e kapaciteteve tona njerëzore. Ky përkushtim do të vazhdoj edhe më tutje ka konfirmuar ambasadorja e re shtetit francez, Marie Christine Butel, të cilën e njoftova për të arriturat e Kosovës, proceset aktuale politike dhe shpreha gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Pacolli.
Kryediplomati kosovar ka theksuar se Kosova e mirëpret angazhimin e Francës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova mirëpret angazhimin dhe rolin e Francës, Presidentit Macron dhe iniciativës së tij në procesin e dialogut me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, u shpreh ai.
/FaktePlus