Franca dhe Gjermania bashkojnë forcat si një superfuqi e vetme
Franca dhe Gjermania do të krijojnë politika të përbashkëta për mbrojtjen, punët e jashtme dhe ekonominë, në një binjakëzim të paprecedentë, që shihet si prototipi për të ardhmen e BE-së.
Angela Merkel dhe presidenti Makron priten të nënshkruajnë një marrëveshje për t’u hapur rrugë fqinjëve që të krijojnë një front të përbashkët diplomatik dhe të veprojnë bashkërisht në misionet paqeruajtëse.
Qarqet vendore në kufirin midis Francës dhe Gjermanisë do të nxiten që të krijojnë “eurodistrikte”, me rrjete të përbashkëta ujësjellësi, elektriciteti dhe transporti publik. Berlini dhe Parisi do të ofrojnë subvencione për spitale të përbashkëta, skema të përbashkëta biznesi dhe mjedisi. Disa zyrtarë e shohin këtë eksperiment si prova për integrimin e mëtejshëm të BE-së në të ardhmen.
Të dyja vendet do të lobojnë që Gjermania të marrë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, përkrah Francës, SHBA-ve, Kinës, Rusië dhe Britanisë, aleatëve fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore.
Franca dhe Gjermania do të flasin njëzëri edhe në Bruksel, duke krijuar pozicione të përbashkëta përpara samiteve të rëndësishme të BE-së, në mënyrë që blloku evropian të jetë një fuqi edhe më e vendosur në arenën botërore. Marrëveshja pritet të përcjellë mesazhin se Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të mbështesin fort vlerat e multilateralizmit, në një kohë kur rendi liberal botëror duket se është vënë nën kërcënim. Makron dhe Merkel kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e populizmit dhe nacionalizmit, ndërkohë që Europa përballet me probleme si ndryshimet e klimës dhe emigracioni në masë.
Merkel deklaroi se Gjermania do të çohej e të luftonte për multilaterlaizmin, dhe se ishte gati të merrte më shumë përgjegjësi në botë. Një vit më parë, diplomatët nga këto vende nisën të negociojnë një marrëveshje që ndjek frymën e traktatit të vitit 1963 në Elize, që bëri të lihen mënjanë armiqësitë shekullore, e që lejoi të krijohet aleanca franko-gjermane që ka mbizotëruar projektin e BE-së, që nga ajo kohë. Dokumenti do të nënshkruhet më 22 janar, në Aahen, një qytet i lashtë gjerman me llixha, që ndodhet në kufirin me Belgjikën dhe Holandën. Kjo marrëveshje pritet të ratifikohet nga dy parlamentet, në të njëjtën kohë.
Vendi ku do të mbahet është i mbushur me simbolizëm. Aheni, që në Francë njihet me emrin Aix-La-Chapel, ka qenë kryeqyteti perandorak nën drejtimin e Karlit të Madh, dhe ka kaluar vazhdimisht herë nën kontrollin e Francës, herë nën atë të Gjermanisë. Disa detaje që kanë dalë për marrëveshjen e Ahenit, përshkruajnë një harmonizim të rregullave të biznesit dhe bashkërenditje e politikave ekonomike midis shteteve, të drejtuara nga një këshill i përbashkët ekspertësh.
Teksti mban gjurmët e dëshirës së Makronit për ta përdorur konsensusin franko-gjerman si nxitje që do ta forconte më shumë rolin e BE-së si fuqi botërore.
Dy qeveritë do të bien dakord të mbajnë konsultime të rregullta në të gjitha nivelet para samiteve të mëdha europiane, do të mbajnë qëndrime të njëjta dhe do të kenë deklarata të përbashkëta. Marrëveshja shton: “Do të qëndrojnë për politika më të forta të jashtme e të mbrojtjes, si dhe do të thellojnë bashkimin e ekonomisë dhe monedhës.”
Kjo shtron themelet për një këshill franko-gjerman që do të vepronte si një grup orientues politik, me secilën palë që ndikon vendimet e tjetrës. Berlini dhe Parisi do të këmbejnë vazhdimisht diplomatë dhe punonjës civilë. Ministrat e njërit vend do të ulen rregullisht në mbledhjet e qeverisë së vendit tjetër.
Për sa i përket ushtrisë, marrëveshja rikthen ambicien për të krijuar një kulturë të përbashkët për angazhimin jashtë kufijve. Një model i mundshëm për këtë është prania me 15 mijë forca ushtarake në Mali, një ish koloni franceze që ka qenë e drejtuar pjesërisht nga rebelët e fiseve Tuareg dhe nga grupe islamike të lidhura me Al Kaedën, që në fillim të vitit 2012.
Ndërkohë që Franca drejton luftimet, forcat gjermane kanë furnizuar një nga kontingjentet më të mëdha jo-afrikane, me 370 trupa gjermane që vazhdojnë të qëndrojnë aty edhe sot.
Diplomatë nga disa vende të BE-së e shohin marrëveshjen e Ahenit me dyshim. Ka shqetësime që një bashkëpunim më i madh midis dy ekonomive më të fuqishme të bllokut mund të krijojë një superfuqi që do të shtypte çdo opozitë.
Qëllimi i Berlinit për të marrë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB pritet të zemërojë disa drejtues në Bruksel, të cilët mund të mendojnë se ky vend duhet t’i jepet BE-së. Pas Brexit-it, vetëm një nga pesë vendet e Këshillit të Sigurisë është nga BE.
Gjermania, e cila ka nisur një prani të kufizuar dy-vjeçare në këshill, që nga fillimi i këtij muaji, e ka të garantuar një vend një herë në tetë vjet për shkak të rëndësisë ekonomike dhe gjeopolitike.
Marrëveshja pritet të hasë kundërshtime në të dyja vendet. Edhe pse projekti ka mbështetje nga të gjitha partitë politike të qendrës, do të kundërshtohet nga ekstremet e majta e të djathta.
Aleksandër Gauland, drejtuesi i AfD në Gjermani, e ka përshkruar si shkatërrim të sovranitetit kombëtar. Ndërsa Le Pen, në Francë, drejtuese e Frontit Nacional, tha se ishte një diktat i çekuilibruar nga Gjermania. /FaktePlus