“Fotografia që nxori Brovina dëmtoi iniciativën për Tribunal ndaj Serbisë”
Analistët kanë diskutuar për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar që do t’i gjykonte krimet dhe gjenocidin serbë në Kosovë.
Kjo iniciativë sipas tyre është dëmtuar me publikimin e një fotografie që pretendohej të ishte një grua kosovare e cila dhunohej nga ushtarët serbë, por që pak orë më vonë rezultoi që fotografia që shfaqi deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, të jetë fotografi e një filmi pornografik. Publikimi i kësaj fotografie u bë në sallën e Kuvendit të Kosovës derisa deputetët po diskutonin rreth kësaj iniciative.
Analisti Astrit Gashi ka thënë se veprimi i deputetës Brovina në Kuvendin e Kosovës ka dëmtuar procesin e themelimit të këtij Tribunali ndaj Serbisë.
“Nëse në një temë kaq serioze ne bëjmë gafa kaq të mëdha, kjo tregon se sa të papjekur janë ata njerëz që e kanë nisur këtë proces…Kjo e ka goditur iniciativën [për themelimin e Tribunalit] dhe e ka tmerruar opinionin publik me diçka që nuk ka ndodhur”.
Gashi ka thënë se ky skandal do të përdoret kundër Kosovës, por dëmi më i madh do të ishte nëse kjo foto do të demantohej në ndonjë institucion ndërkombëtar.
“Problemi më i madh nuk është se do të na përdoret nga dikush, por para së gjithash ky rast ka dëmtuar iniciativën”, tha mes tjerash Astrit Gashi.
Nga ana tjetër analisti Imer Mushkolaj thotë se nuk diskutohet se Flora Brovina ka pasur qëllim shumë të mirë për të dëshmuar krimet e përdhunimit, por sipas tij informatat është dashur t’i ketë Kryetari i partisë.
“Jam kundër kryqëzimit të Brovinës. Efektet vërtet janë negative por qëllimi i saj nuk ka qenë ky. Përkundrazi qëllimi ka qenë të dëshmoj krimet e tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë. Ajo mund të ketë qenë njëra nga dhjetë fotografitë që ka Brovina, të cilat dëshmojnë përnjëmend krimet serbe në Kosovë”, tha mes tjerash Imer Mushkolaj.