Forcat ruse fillojnë ta përcjellin anijen amerikane në Detin e Zi
Forcat detare ruse kanë filluar që të përcjellin një anije ushtarake amerikane në Detin e Zi, citohet të ketë thënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të enjten, në kohën e aktiviteteve të NATO-s afër kufijve të Rusisë.
“Forcat dhe mjetet e Flotës së Detit të Zi kanë filluar që t’i vëzhgojnë veprimet e anijes komanduese “Mount Whitney”, e cila hyri në zonën e Detit të Zi më 4 nëntor”, citohet të ketë thënë ministria ruse nga agjencia e lajmeve, TASS.
Forcat detare amerikane thanë të hënën se anija “USS Mount Whitney” ka arritur në Stamboll dhe se së shpejti do t’u bashkohet anijeve tjera në Detin e Zi, shkruan Reuters.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të hënën se forcat e vendit të tij mund ta vëzhgojnë anijen amerikane përmes dylbive ose në kryqëzimin e sistemeve të mbrojtjes.
Të martën, Flota e Detit të Zi e Rusisë tha se anijet e saj kanë bërë ushtrime duke i shkatërruar caqet e pretenduara të armikut dhe se sistemet e mbrojtjes kundërajrore janë vënë në gjendje gatishmërie në bazat në Krime dhe Novorossiysk.
Rusia, që i tensionoi marrëdhëniet me NATO-n muajin e kaluar, shpesh ankohet për aktivitetet e aleancës afër kufijve të saj në atë që e cilëson si sferë të veten të ndikimit.