“Fondi Rezervë”, kështu i shpenzoi milionat Ramush Haradinaj
Që prej ardhjes në krye të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë një varg vendimesh madje pa u konsultuar ndonjëherë as me ministrat e kabinetit të tij. Haradinajt “veç se iu kishte tekë” shpenzoi edhe miliona euro të Fondit Rezervë vitin e kaluar, e milionat po vazhdon që t’i harxhoj edhe këtë vit. Një shpenzim nga kjo linjë buxhetore Qeveria e drejtuar nga Haradinaj e ka bërë edhe sot, duke ndarë 42 mijë euro për implementimin e projektit kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka shpenzuar rreth 50 për qind të shumës së ndarë të Fondit Rezervë nga buxheti i këtij viti. Shprehur me shifra janë afro dy milionë euro të shpenzuara vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
Për rreth 20 vendime të nxjerra nga Qeveria e Kosovës, për mbështetje financiare kryesisht për manifestime dhe organizime të tjera, është shpenzuar rreth 50 për qind e buxhetit të ndarë për Fondin e rezervës, i cili ka shumën e përgjithshme prej 4.8 milionë eurosh.
Në Ministrinë e Financave kanë treguar për Agjeninë e lajmeve FaktePlus se të dhënat për shpenzimet e Fondit Rezervë i kanë vetëm për tre muajt e parë të këtij viti.
E sipas këtyre të dhënave shihet se vetëm brenda këtyre tre muajve janë shpenzuar 1 milion e 922 mijë e 674 euro të këtij fondi, derisa të pa shpenzuar kanë mbetur edhe 2 milionë e 877 mijë e 326 euro.
Por, ky fond ka vazhduar të shpenzohet edhe gjatë këtij maji. Hiç më larg se sot, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të ndahen 42 mijë euro për implementimin e projektit kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit.
Shpenzime e Fondit
2019
Të dhënat sipas raporti tremujor 2019
4,800,000 Buxheti (1)
1,922,674 Shpërndarja (2)
2,877,326 Të pa shpërndara
2018
Të dhënat sipas RVF 2018
7,856,962 Buxheti (1)
7,634,926 Shpërndarja (2)
222,036 Të pa shpërndara
Detaje për shpenzimet e Fondit Rezervë janë dhenë edhe në Raportin tremujor të shpenzimeve të hartuar nga Ministria e Financave. Aty tregohet se përveç 500 mijë eurove që Qeveria kishte ndarë për realizimin e aktiviteteve për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ajo kishte marrë vendim që 300 mijë euro të tjera të ndahen për Delegacionin Shtetëror në procesin e dialogut me Serbinë.
Po ashtu, nga ky fond janë ndarë 35 mijë euro për përkrahjen e fushatës “Made in Kosova” të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
E mbi 170 mijë euro janë ndarë për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 ndaj prokurorëve special të vendit.
Kurse për themelimin e Qendrës përkujtimore “Bllace 1999” janë shpenzuar 100 mijë euro. Janë shpenzuar 50 mijë euro edhe për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit të Arite Sylejmanit, etj.
Milionat e Fondit Rezervë u shpenzuan edhe në 2018
Shpenzimet nga Fondi Rezervë i shtetit nuk ishin kursyer as gjatë vitit të kaluar. Në Ministrinë e Financave kanë bërë me dije se gjatë vitit 2018 janë shpenzuar 7 milionë e 634 mijë e 926 euro. Të pa shpenzuara nga ky fond kanë mbetur vetëm 222 mijë euro.
Fondi Rezervë për vitin e kaluar ka qenë 7 milionë e 856 mijë e 962 euro.
Detaje për shpenzimet e fondit rezervë gjatë vitit 2018 janë dhënë edhe në Raportin vjetor të shpenzimeve të hartuar nga Ministria e Financave.
Aty theksohet se në fillim të vitit Qeveria kishte nxjerrë vendim që të ndahen mjete financiare në shumë rreth 55 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për manifestimin multikuturor “Flaka e Janarit” që organizohet në komunën e Gjilanit.
Qeveria po ashtu kishte nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 600 mijë euro për realizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Mbi 120 mijë euro nga Fondi Rezervë ishin ndarë edhe për 800 familjet e rrezikuara të komunitetit egjiptian.
Qeveria kishte marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 152 mijë euro për Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.
Atë kohë Qeveria e Republikës së Kosovës kishte ndarë 1 milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave veriore të Kosovës.
Qeveria po ashtu ka marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 500 mijë euro për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, të shpallur si vit Gjithëkombëtar i Skënderbeut.
Gjatë vitit të kaluar nuk ishin lënë anash as veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve Qeveria e Kosovës kishte ndarë 300 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të 1500 veteranëve për pushime verore në bregdetin e Shqipërisë.
Po ashtu kishte ndarë 30 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për trajtim mjekësor jashtë vendit të ish- kryeministrit Bujar Bukoshi, etj./FaktePlus