Fondi i UEFA-s i dedikuar për klubet e Superligës përfundon në llogari të biznesit privat
Një fond i dedikuar nga UEFA për klubet kosovare të futbollit, e cila tek ekipet përcillet nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ngjalli reagime ditën e djeshme. Kjo pasi që në rastin e ekipit të Vushtrrisë, që garon në Superligën e Kosovës, mjetet prej mëse 36 mijë euro kaluan përmes kompanisë ‘Viciana Sports L.L.C’, që për pronar e ka Bajrush Kajtazin, e i cili është edhe pronar i klubit. Kajtazi tha për FaktePlus se pas privatizimit dhe marrjes në dorë të klubit nga ai, kjo kompani është ajo që e menaxhon Vushtrrinë. Edhe nga FFK-ja pohojnë se gjithçka është bërë me fatura, kurse lidhur me dyshimet e shfaqura, thonë se “nuk kanë kohë për t’u marrë me pallavra”.
Pronari i klubit të futbollit ‘FC Vushtrria’, Bajrush Kajtazi i ka demantuar zërat se paratë e destinuara për klubin e futbollit në pronësi të tij, kanë kaluar tek një biznes tjetër privat në të cilin ai është drejtor.
Kajtazi për FaktePlus ka thënë se kompania ‘Viciana Sports L.L.C’ ku janë dërguar paratë është privatizuar dhe e menaxhon klubin e Vushtrrisë.
“Procesi i privatizimit nënkupton komercializim. Komercializim nënkupton me u menaxhu me një kompani e jo me OJQ. Kish qenë e paligjshme, nëse mjetet ishin derdhë në OJQ. Klubi që 6-7 muaj, prej se e kam marrë unë menaxhohet prej kompanisë ‘Viciana Sports Club’ edhe ne deri tani e kemi bërë pagesën e obligimeve çka kemi pasë edhe çdo kërkesë e ankesë deri tash ka shku përmes asaj kompanie”, ka deklaruar Kajtazi.
Klubi Futbollistik “Vushtrria” zyrtarisht është klub i licencuar në FFK, ndërsa “Viciana Sports L.L.C’ është e regjistruar edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara me drejtor po Bajrush Kajtazin.
Duhet thënë se derdhja e parave të ardhura nga UEFA në llogari të biznesit “Viciana Sports L.L.C’ e jo në llogari të klubit, ka zgjuar pakënaqësi tek lojtarët e Vushtrrisë të cilët kanë dy muaj pa marrë pagat e tyre.
Kajtazi i ka komentuar edhe zërat se mjetet kanë kaluar në llogari të tij, me qëllim që delegatët e Vushtrrisë ta përkrahin Agim Ademin në FFK.
Por gazeta ka siguruar dëshmi ku delegatë e KF Vushtrria kanë dhënë mbështetje për Agim Ademin, ani pse ky i fundit ende nuk ka shpallur zgjedhjet për pozitën e kryetarit.
Bajrush Kajtazi thotë se askënd nuk e ka urdhëruar ta përkrahë Ademin, porse këto janë ngritur nga kundërshtarë të kreut të FFK-së.
Ndërkohë edhe sekretari i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se ndarja e fondeve është bërë në mënyrë transparente, si dhe janë publikuar e dërguar rregulloret e pagesat për çdo klub.
Por, ai nuk ka pranuar që të na dergojë dëshmi mbi pagesat që janë kryer. Përmes telefonit, Salihu madje thotë se klubet janë paguar më shumë se që duhet.
Mirëpo ajo që është fakt e dihet është se klubet janë grumbulluar disa herë për të kërkuar mjetet që UEFA ka ndarë për to.
Por, Salihu insiston se klubeve u është dhënë çdo cent që është dedikuar për to, ani pse fondi i UEFA-se për vitin 2018 ka qene 396 mijë euro, ndërsa FFK ua dha klubeve të Superligës vetëm nga 8000 euro. Ndërkohë fondi i UEFA-s për vitin 2019 ishte 430 mijë euro, FFK-ja klubeve u ka ndarë vetëm 362 mijë euro.
E me dyshimet e ngritura për dallavere me fondet e UEFA-s, Eroll Salihu nuk ka kohë të merret.
“Ua kemi nda klubeve çdo cent që janë dediku për to, edhe këtë fond ua kemi çu me rregullore, me pagesa çdo klubi. Me një fjalë me nis e me u marrë me çdo pallavër s’kemi mundësi. Çdo ditë rrena të reja po dalin dhe nuk po kemi kohë me u marrë me to. Nuk ka ma transparente ndryshe me kanë, totalisht e pastër është, bile FFK-ja u ka pagu klubeve më shumë se që duhet. U kemi hequr shumë shpenzime e qata po çohen ata peshë”, është shprehur ai.
Duhet thënë se 433 mijë e 615 euro kanë qenë të destinuara vetëm për klube të Superligës nga UEFA, për sezonin 2018/19 në emër të fondit të solidaritetit. Ndërsa nga ky fond u paguan KF Dukagjini dhe KF Vushtrria ani pse nuk garuan në Superligë, ndërsa mjete e KF Vushtrria u alokuan në kompaninë e Bajrush Kajtazit “Viciana Sport SC L.L.C”.
Kujtojmë që më 27 janar do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i FFK-së ku do të zgjidhen anëtarët e Komitetit Ekzekutiv./FaktePlus