Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës 10 vite në mbrojtje të depozitorëve
Përvjetori i 10-të i themelimit e gjen Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës të ballafaquar me një situatë të paprecedentë. Si pjesë e rrjetës së sigurisë financiare, COVID-19 ka afektuar edhe Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), pasi që situatat e tilla vënë në pah rolin dhe rëndësinë e këtyre institucioneve në sigurimin e stabilitetit financiar.
FSDK si entitet i vetëm publik në Kosovë që ofron sigurimin e depozitave thekson se gjatë vitit pandemik, ndërmori veprimet e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e mbarëvajtjes së punës dhe për të siguruar këmbimin në kohë të informacionit mbi nivelin e qëndrueshmërisë bankare.
“Duke qenë pjesë e rrjetës së sigurisë financiare, që nga themelimi në vitin 2011, FSDK ka menaxhuar Sistemin e Sigurimit të Depozitave (SSD) në Kosovë me mandat kryesor sigurimin e depozitorëve dhe garantimin e kompensimit në rast të revokimit të licencës dhe mbylljes së bankës nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Falë financimit dhe kontributit në kapital nga donatorët dhe Qeveria e Kosovës, FSDK ka arritur që të rrisë limitin e mbulueshmërisë gjatë kësaj periudhe dhe sot siguron më shumë se 990 milion euro depozita në sektorin bankar, e që paraqet trefishin e shumës së siguruar në vitin 2011 kur FSDK-ja ka filluar operimin. Në anën tjetër, mbi 99% e depozitorëve sigurohen nga Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë deri në limitin e sigurimit prej 5,000 euro. Në arritjen e këtij mandati, FSDK ka ndërtuar bazën e nevojshme rreth funksionit të kompensimit dhe ka miratuar një numër të rregulloreve të brendshme që mbulojnë të gjitha fushat e procesit të kompensimit. Në këtë mënyrë, me mbështetjen financiare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), FSDK ka ndërtuar kornizën operacionale dhe teknike për kompensimin e depozitorëve në rast të mbylljes së një banke. Shtesë, për të siguruar qëndrueshmëri financiare dhe qasje më të lehtë në likuiditet në rast të mbylljes së një banke, nën mbështetjen dhe granatimin e Ministrisë së Financave, FSDK ka arritur të sigurojë financim nëpërmjet linjave të kredisë në shumë prej 34 milionë euro me BERZH. Në rrafshin ndërkombëtar, FSDK-ja ka arritur të anëtarësohet në shoqata të ndryshme evropiane dhe botërore të siguruesve të depozitave me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe adaptimin e standardeve evropiane në fushën e sigurimit të depozitave. Aktivitetet FSDK-së kanë një synim të përbashkët e që është forcimi tutje i mandatit të saj në linjë me misionin, vizionin dhe vlerat e saj”, thuhet në një komunikatë të FSDK-së
Tutje thuhet se FSDK në mënyrë proaktive angazhohet që të përmirësojë dhe të avancojë sistemin e sigurimit të depozitave me qëllim që të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit financiar dhe besueshmërisë në sektorin bankar.