Flora Brovina tregon si u shfrytëzua nga PDK-ja dhe pse nuk garon në këto zgjedhje
Njëra ndër gratë e para e cila edhe ishte kandiduar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për presidente në zgjedhjet e vitit 2007, Flora Brovina, më nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së, për zgjedhjet e 6 tetorit. E për mospjesëmarrjen në garën zgjedhore ka folur vetë Brovina, e cila i ka thënë FaktePlus se përveç arsyeve tjera është edhe fakti se PDK-ja e ka shfrytëzuar për formalitet.
Flora Brovina për vite të tëra është gruaja me të cilën është mburrur e gjithë PDK-ja. Ajo në shumë palë zgjedhje ka qenë në top listën e kësaj partie kur është garuar në zgjedhje.
Madje, Brovina në PDK është cilësuar edhe si simbol, pasi që mjaft gjatë ka qenë pjesë e kësaj partie dhe deputete e shumë legjislaturave.
Por, në zgjedhjet e 6 tetorit, Brovina ka vendosur që të mos jetë më pjesë e listës së PDK-së. Vetë Brovina në një bisedë për FaktePlus ka treguar arsyet pse nuk garon në këto zgjedhje dhe si u shfrytëzua nga PDK-ja.
“Kaherë kam biseduar me kryetarin e PDK-së, do të thotë që nuk ka obligime ndaj meje dhe këtë mund t’ia ofrojë dikujt tjetër. Edhe në Këshillin Drejtues gjithashtu i kam thënë që nuk ka nevojë në shenjë respekti, unë nuk vuaj nga formalitetet. Aty kam shkuar të punojë dhe më shumë jam shfrytëzuar si formalisht dhe kjo nuk më ka pëlqyer”, ka thënë Brovina për FaktePlus.
Ajo tutje ka shtuar se në shumicën e kohës në PDK është shfrytëzuar vetëm si simbol.
“Më shumë jam shfrytëzuar si simbol dhe kjo nuk më pëlqen, prandaj realisht kjo është arsyeja. Unë kam qejf me punu”, ka pohuar Brovina.
Ish deputetja e PDK-së, Flora Brovina nuk deshi të jap më shumë detaje rreth mospërfshirjes në listën e partisë, duke thënë se tani është koha e gjeneratave të reja.
“Ka qenë vendim i përbashkët. Unë me thënë të drejtën kam qenë mjaft gjatë tani PDK-ja ka marrë gjenerata të reja dhe kjo është arsyeja, nuk është ndonjë arsye ku me dit çka”, ka thënë ajo.
Partia Demokratike e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka publikuar listën e plotë me kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit, ku në listë janë përfshirë shumë emra të rinj, derisa në të nuk gjendet emri i Flora Brovinës.
Në listën e PDK-së tani kanë gjetur vend në krye të listës zgjedhore gratë si, Eliza Hoxha, Besa Ismaili-Ahmeti, si dhe Blerta Deliu-Kodra./FaktePlus