Flet shoferi i linjës Kosovë-Gjermani, i cili dyshohet se infektoi 11 banorë të fshatit Topanicë
Shoferi i kompanisë “Maxharri Tours”, B.M. nga fshati Topanicë e Kamenicës, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus të hënën, dyshohet se ka infektuar 11 banorë të fshatit.
Ai dyshohet se nuk ka respektuar rekomandimet e institucioneve të vendit për të qëndruar në vetë-izolim, pasi ishte kthyer nga Gjermania më 19 mars.
Në një bisedë telefonike me Insajderin, B.M. ka thënë se para se t’i shfaqeshin simptomat e COVID-19, vetëm një herë kishte dalë nga shtëpia duke shpërfillur rekomandimin e institucioneve të shtetit për të qëndruar në vetë-izolim. Kishte shkuar në QKMF-në e Kamenicës.
Nga kontaktet e tij me banorët e tjerë të fshatit janë infektuar edhe 11 banorë të tjerë të fshatit Topanicë. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë”, njofton IKSHPK.
Infektimi i B.M. me epideminë COVID-19 detyroi Komunën e Kamenicës të ndërmarrë masa në fshatin ku ai banonte, Topanicën. Ky fshat u vendos në karantinë më 30 mars.
Komuna e Kamenicës po ashtu ka dezinfektuar rrugët e fshatit të mërkurën.
10 ditë pasi u kthye nga Gjermania, B.M. ndjeu dhimbje të forta.
Ndonëse qëndroi shumicën e kohës i vetë-izoluar në shtëpinë e tij në Topanicë, B.M. u detyrua ta thërrasë Ndihmën e Shpejtë të dielën e 29 marsit.
“U sëmura shumë. Erdhën më morën në shtëpi ndihma e shpejtë dhe Policia”, rrëfen B.M., i infektuar me koronavirus, që tash e pesë ditë po qëndron nën përkujdesjen mjekësore të mjekëve në Klinikën Infektive të QKUK-së.
banori i vetëm i infektuar me COVID-19 në Komunën e Kamenicës shpjegon rrugën e gjatë dhe me shumë vështirësi të tij nga fshati Topanicë deri në Prishtinë ditën e së martës.
Rrëfimi nis me neglizhencën që ai hasi në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kamenicës.
“Në Kamenicë një doktoreshë nuk më kontrolloi. [Ajo] më tha: ‘Jo sepse nuk kemi maskë’”, tregon B.M. “Por çfarë ka lidhje që s’kishte maskë, unë prej zorit kisha shku aty.”
Nga Kamenica, me autoambulancë atë e dërguan në Spitalin e Gjilanit. Edhe atje, siç shpjegon B.M., mjekët ngurruan ta kontrollonin banorin e fshatit Topanicë. E lanë atë në automjetin e Ndihmës së Shpejtë “për rreth një orë”.
“Aty jam detyru me dal nga vetura, me i thanë: Çka është puna ime?. Një polic aty më tha: ‘Hyr brenda mos ta nij’ zanin’”, vazhdon rrëfimin B.M..
B.M. u dërgua në Klinikën Infektive të QKUK-së atë ditë, të martën, kur sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, B.M. bashkë me 11 persona të tjerë rezultuan pozitiv në testet për COVID-19.
Pas katër ditësh qëndrimi në Klinikën Infektive, banori i fshatit Topanicë thotë se është në gjendje stabile.
“Më duket se jam duke u përmirësuar”, shprehet B.M..
Para se t’i shfaqeshin simptomat e COVID-19, B.M. thotë se vetëm një herë kishte dalë nga shtëpia, duke shpërfillur rekomandimin e institucioneve të shtetit për të qëndruar në vetë-izolim. Kishte shkuar në QKMF-në e Kamenicës.
Ai thotë të mos jetë në dijeni se nga kush, apo ku, i është transmetuar sëmundje ngjitëse e koronavirusit. Por, thotë të ketë bartur rreth 80 udhëtarë si shofer i autobusit të linjës Kosovë-Gjermani.
“Nuk e di. Rreth 37 udhëtarë i kam pasur për Gjermani, pastaj 40 të tjerë në linjën kthyese. Me të 13 mars kam shkuar për Gjermani dhe jam kthyer më 19 mars”, shprehet ai.
Infektimi i B.M. me epideminë COVID-19 detyroi Komunën e Kamenicës të ndërmarrë masa në fshatin ku ai banonte, Topanicën. Ky fshat u vendos në karantinë më 30 mars.