Flasin nga Policia për vrasjen në Pejë: E gjetëm të djegur në veturë
Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka dhënë detaje për vrasjen pas mesnate në Pejë.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në fshatin Zahaq të Pejës, në një rrugë ku edhe është parë që është djegur një veturë, përcjell FaktePlus.
“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komunikatë e plotë:
Me datën 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.
Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin.
Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.
Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore.
Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm./FaktePlus