Flasin nga dega e VV-së në Podujevë, ky kandidat votohet sot për kryetar komune
Nesër është afati i fundit për partitë politike që të caktojnë kandidatin për kryetar të komunës së Podujevës. E përderisa orët e fundit po fillojnë të numërohen, është vetëm LDK-ja që e ka caktuar Nexhmi Rudarin kandidat për zgjedhjet që do të mbahen më 15 mars. Nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë hapur para tre ditësh zgjedhjet e brendshme në disa qendra të votimit, në të cilat anëtarët e këtij subjekti nga kjo komunë do të votojnë për kandidatin potencial. E Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se sot do të votohet për Shpejtim Bulliqin e nëse ky dështon, nesër votohet për kandidatin tjetër.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot do të votojnë nëse do pajtohen ose jo që Shpejtim Bulliqi të jetë kandidat për kryetar komune. Kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus sekretari organizativ i qendrës, Bahri Selimi. Selimi ka bërë të ditur se ka filluar votimi dhe se pas orës 17 do të dihet rezultati.
“Sot e kemi fillu një process të brendshëm të votimit, ashtu siç e kemi të rregulluar me statut dhe me rregullore. Deri në orën 17, procesi i votimit është i hapur e pas orës 17 bëhet numërimi i votave të anëtarësisë sonë. Të drejtë votimi kanë e gjithë anëtarësia në Podujevë. Z.Bulliqi është në mesin e kandidatëve që do të votohet. Kandidati duhet me e marrë mbështetjen e 50 % + 1 votues. Është një kandidat, vetëm një por edhe ai duhet ta fitojë 50 % + 1 votë që të jetë kandidat për kryetar komune”, ka thënë Selimi për FaktePlus.
Ai ka bërë të ditur se nëse Bulliqi nuk i merr votat e mjaftueshme sot, nesër votohet për kandidatë tjerë.
“Nesër është dita e fundit dhe fillojmë prapë me procesin zgjedhor me kandidatë tjerë nëse kandidati sot nuk i merr votat e mjaftueshme”, ka deklaruar tutje Selimi.
FaktePlus kishte kontaktuar paraprakisht edhe me vet z.Bulliqi. I njëjti nuk kishte pranuar të komentojë.
“Drejtohuni në zyrat e subjektit politik për me marrë informacion. Drejtohuni në zyrat e qendrës në Podujevë për me marrë informacion”, ka thënë shkurt ai.
Ndryshe, edhe nga dega e VV-së në Besianë kanë dhënë detaje lidhur me zgjedhjet e brendshme dhe vendet ku po organizohen ato ditën e sotme. Ato kishin filluar para tre ditësh.
Ky është njoftimi i degës:
NJOFTIM
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Besianë sot ka hapur votimin për zgjedhjet e brendshme për kandidat për kryetar të Komunës.
Votimi është i hapur nga ora 10:30 – 17:00.
Ftohen të gjithë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Besianë që të bëhen pjesë e këtij procesi duke ndihmuar në përzgjedhjen e kanditadit për kryetar të Komunës.
Ju mund të drejtoheni në këto qendra të votimit:
- Zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përballë parkingut të banesave të Malësisë,
- Kërpimeh, Shkolla “Hamit Sejdiu”,
- Dumnicë e Poshtme, Shkolla “ Lasgush Poradeci”,
- Lluzhan, Shkolla, “Afrimi e Fahriu”,
- Batllavë, Shkolla “ Luigj Gurakuqi”.
Ndryshe, vetëm LDK-ja ka caktuar kandidatin për kryetar të Podujevës e ai është Nexhmi Rudari, që së fundmi ishte nënkryetar komune.
Nga PDK-ja po përflitet emri i Fahri Osmanit, megjithatë asgjë nuk ka zyrtare.
Ndryshe në zgjedhjet e fundit ishte Agim Veliu që fitoi përballë Ajet Poterës së VV-së në balotazh.
Në zgjedhjet nacionale, LDK-ja fitoi me rezultat të ngushtë ndaj VV-së./FaktePlus