Fjalimi i Bidenit – mesazh për Putinin, akuza për Trumpin e një port në Gaz
Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti një fjalim të zjarrtë të enjten, duke bërë goditje të vazhdueshme ndaj Donald Trumpit dhe duke mbuluar temat e gjera të fushatës së tij për rizgjedhje.
Biden përdori termin “paraardhësi im” për t’iu referuar Trumpit, 13 herë në një fjalim që zgjati më shumë se një orë.
Ai e akuzoi Trumpin se “i përkulet” Rusisë dhe për trazirat në Capitol
Toni i Bidenit tregonte shkëputje nga paraqitjet e tij për të larguar kështu dyshimet nëse presidenti 81-vjeçar mund ta vazhdojë detyrën.
“Paraardhësi im – dhe disa prej jush këtu – kërkojnë ta varrosin të vërtetën për 6 janarin, unë nuk do ta bëjë këtë. Ky është momenti për ta folur të vërtetën dhe të varrosen gënjeshtrat. Ja një e vërtetë e thjeshtë. Nuk mund ta thuash vendin tënd vetëm kur fiton”, ka thënë ai në fjalimin vjetor drejtuar kombit.
Njoftimi më i rëndësishëm i Bidenit erdhi në fund të fjalimit kur ai konfirmoi se ushtria amerikane do të krijonte një “port të përkohshëm në bregdetin e Gazës”, të aftë për të shkarkuar ngarkesa të mëdha me ujë, ushqim dhe ilaçe. Bideni u zotua se misioni nuk do të përfshijë vendosjen e trupave amerikane në terren dhe se do të lehtësojë gjendjen me ndihma në Gaza.
Duke përsëritur qëndrimin në të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit, Bideni dënoi situatën e shkaktuar në Gaza me krizën humanitare, ku më shumë se 30,000 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, raportoi The Guardian.
“Izraelit i them këtë: ndihma humanitare nuk mund të jetë dytësore apo një mjet pazari. Mbrojtja dhe shpëtimi i jetëve të pafajshme duhet të jetë prioritet. Ndërsa shikojmë nga e ardhshme, e vetmja zgjidhje reale për situatën është një zgjidhje me dy shtete me kalimin e kohës”.
Bideni bëri thirrje edhe për aprovimin e pakos së ndihmës për Ukrainën, ndërsa i dha mesazh edhe Vladimir Putinit.
“Ne nuk do të tërhiqemi, nuk do të përkulemi. Unë nuk do të përkulem”.