Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 (II)
Shqiptarët e të drejtat e tyne
(100 vjetori 1919 – 2019- fjalimi “Shqiptarët e të drejtat e tyne” në Konferencen e Paqës)
At Gjergj Fishta O.F.M./ Paris 20 qershor 1919
Por asht edhe gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji Kombit, në kjoftë se ne, nën fjalën barbari, kuptojmë egërsinë ose breshtninë e Shpirtit të tij, ashtu si duen me e kuptue kundërshtarët tonë, kur e kanë fjalën për Kombin Shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve të jashtme e prej të metave të organizimit shoqnor të nji Kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve, për të cilët nuk mund të thohet se kanë kenë të egjër e breshtnorë.
Në Biblën Shenjte këndohen këto fjalë:“Propinquus occisi homicidam interficiet: statim ut apprehenderit eum, interficiet…Cognatus occisi, statim ut invenerit eum (homicidam) jugulabit.” Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21)
Po kështu edhe në “Iliadë”, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il prezzo/ Qualcuno accetta dell’ucciso figlio/ O del fratello; e l’uccisor, pagata/ Del suo fallo la pena, in una stessa/ Citta dimora col placido offeso.”
(Ndëshkimin, sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të vllait; dhe ai që e ban këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë mandej i qetë në të njejtin qytet, me atë familje së cilës i bani vrasjen – fyemjen e parë.)
Duket, pra, mirfilli, se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se Kombi Shqiptar asht barbar e nuk asht i zoti me u qeverisë në vedi dhe i pamvarun.
Por “Jo!” thonë kundërshtarët tanë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve të jashtëme, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të Kombit Shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye, e cila, edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e pështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderës së vet. E për në kjoftëse asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetë! – se poezia popullore asht pasqyra e Shpirtit të nji Kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjakut.
Por edhe këtu danë mirfilli se, kundershtarët tonë ua kanë zejen shpifjeve e rrenave e se ksodore, ata flasin, jo sepse kanë dëshiren, që të vehet paqa ndermjet kombeve, por sepse…e lakmojnë këte tokë Shqiptare.
E vertetë se poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh e gjakut; por kjo nuk do me thanë se Kombi Shqiptar vret njeriun per instikt. Shqiptari nuk i këndon çdo lloj vrasjesh e gjakut. Ai këndon vetem per ato vrasje e gjaqe të cilat janë ba vetem me i dalë zot jetës, gjasë e nderës, dhe per me u krye nji veprim i këtillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu si mundet me u vertetue nder kangët heroike Shqiptare, të mbledhuna në vllimet “Visaret e Kombit”. E se këto vrasje e gjaqe nuk janë të bame gjithmonë per nji interes të pergjithshëm dhe se çmimi i nderës së njeriut në Shqipni, nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të kombeve të qytetnueme, kjo nuk don me thanë se Kombi Shqiptar asht i eger e barbar, por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirsue e se do parime morale, ende s’ janë zhdrivillue plotsisht ndër Shqiptarë. Na këtu nuk po flasim per moralitet të këtyne akteve: Flasim mbi movent të këtyne akteve e thomi se, vrasja në Shqipni nuk bahet per instinkt, por per nji “shkak”, i cili, simbas mentalitetit të Kombit, asht i mirë e i arsyeshëm. Prandej per këte, populli Shqiptar nuk mund të thirret i eger e barbar. E mos të harrojmë se paladinët e Ariostit dhe kreshnikët e Tasit, nuk kanë luftue gjithmonë per interes të pergjithshëm e as që kanë qindrue gjithmonë per nji nderë të kuptuem simbas parimeve t’Etikës së popujve të qytetnuem.
Por, per me e diftue egërsinë e Kombit Shqiptar dhe pazotsinë e tij per me u qeverisë në vedi e i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjeter. Ata thonë: “Nuk mbahet mend në histori se Kombi Shqiptar asht gjetë kurr i bashkuem e i unjishem m’nji si shtet, por gjithmonë, – si edhe sot, – ai shfaqet i ndamë në fise e Bajraqe, gja kjo që ndodh vetem nder kombe t’ egra.”
Këte fjalë ka muejtë me e thanë e me e shkrue, edhe ndonji dijetar, i cili, drejtperdrejt, nuk hyn në numrin e frotës s’ armiqve tonë. Ata thonë se Kombi Shqiptar nuk shfaqet në histori i unjishem në nji bashkim që të ketë pasë formen e shtetit. Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht e vertetë se mundet me kenë që ky Komb të shfaqet në histori, si gjithmarë, i unjishem në nji shtet nën emnin “shqiptar” e “albanensis”, nen të cilët emna, historia tashma e quen Kombin Shqiptar. Por duhet dijtë se fjala “shqiptar” e “albanensis” nuk shenon individualitetin etnologjik të familjes së këtij Kombi. Fjala “shqiptar” vjen prej verbit “me shqiptue”, që don me thanë “enuntiare”, “exprimere”, e shenon njeriun që mundet me folë dhe me kenë kuptue në këte gjuhë, prej tjerëve. E prandej, “shqiptar” asht edhe francezi per francez, kinezi per kinez, hindjani per hindjan, etj. Pra, mjaft që ta kenë gjuhen amtare, së bashkut. Per antonomazi pra, e vetem perpara Kombit Shqiptar, fjala “shqiptar” shenjon kombsi; sepse, në vetvedi, si e thame ma siper, nuk e ka këte kuptim. Po kështu, edhe fjala “albanensis” nuk percakton individualitetin etnologjik të nji familjes kombtare, por shenjon popullin që banon n’ Albanie ose Shqipni.
Tash, përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se Kombi Shqiptar nuk shfaqet kurr i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se prej kah e ka rrajën ky Komb, ké ka fis e vlla mbi botë, – sepse ky nuk ka bijtë vetvedit mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto, historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me muejtë me i përcaktue, sepse historia e Kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të mugta të kohve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët pështeten historianët e sotshëm, t’i kishin nda me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky Komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë pra të gjithë të nji fisi apo jo? Prandej kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem më nji e s’kanë kenë shtet më vete. Por, po e xamë, edhe, se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë, armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak, Kombi Shqiptar nuk duhet qitë shtet më vedi, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne, si gja e pazot. Kush i mba mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët, edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë kenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqi-shoqin, shi mbrenda kufijve të vet. Pse pra, Shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që kjenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi, për arsye se s’na paskan kenë kurrë të bashkuem në nji shtet?!
Si e dishmojnë vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botnore vetëm për me i dalë zot integritetit e pamvarësisë së Serbisë. E po, aso kohe, serbët nuk kanë kenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na kenkan të tanë prej nji fisi! Mirpo, nuk po kuptohet kjartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve e të grekve! A për arsye se deri dje, edhe Kombi i tyne nuk ka kenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?!
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se Kombi Shqiptar duhet mbajtun për barbar, për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tue kenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vedit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet prej asaj bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mërrinë forca që do t’i mbrojë ato interresa. Tash, tue kenë se populli Shqiptar, për shkak të pushtimeve të hueja të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë që me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të Kombit, këtij iu desht doemosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jepte do familjeve, me u vllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” dhe me organizue jetën e vet shoqnore. E ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njenën anë, shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër, pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë Kombin. Shqiptarit iu desht me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta, tue i mbajtë së bashku parimet e Kanunit Kombtar si rregull jetet. Prandej, fakti që Kombi Shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktorve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë sesi me i shndërrue.
E, me e vertetue se Kombi i ndamë në shumë fise asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Në kohen kur Filipi i Maqedonisë kercnonte Republiken e Athinës, kjo Republikë xuni me u forcue per t’i ba ballë anmikut e kështu, mëkambi nji ushtri prej 500 vetësh kamsorë e 50 kalorës t’ armatosun, kjo gja mundet me u lexue në Filipikët e I të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket e kjartë se Republika e Athinës, në kohen e Demostenit, nuk dij a mund të kishte kenë shumë gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëte, s’e besoj se kundershtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka kenë barbar, per arsye se kjo Republikë ka kenë ma e vogel se Serbia.
Së mbrami, kundershtarët tonë thonë se Shqiptarët janë jo veç barbarë, po, per mateper, Shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht, aqsa mos me mujtë kurr me u qytetnue e me perparue.
Fjala fjalën s’ e mund, por shtanga shtangen, ka pasë thanë nji gjakovas i motshem: “Shtanga e thyen njiherë shtangën, por fjala s’ e mund kurr fjalën!” Prandej, unë këtu nuk po due me u hallakatë fort nder fjalë, veçse me arsye të forta, – të cilat janë shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, – due me diftue se Shpirti ose psika e Kombit Shqiptar, nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve. Psika e nji populli ndanë ma së miri, në poezinë popullore të tij. Le ta perballojmë pra, poezinë popullore shqipe, me ate të sllavëve.
Tue gjykue simbas poezisë popullore të sllavëve të Jugut, rodi i poezisë që zotnon ma shumë nder ta, asht legjenda. Legjenda, si dihet prej natyrës së vet, kerkon me lurtue veshët e të mëdhajve e prandej, këte rod poezie e gjejmë të perhapun sidomos nder epoka të despotizmit e autokracijet, si dhe nder popuj të cilët, ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme, gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetvedi. E të këtillë janë sllavët, perposë malazezëve, të cilët janë të shartuem ma fort se me tjerë, me shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë, megjithkëte, të thuesh, deri dje i kena pa tue u vue pa za nen zgjedhë të nji Cari ose të nji Habsburgu, kush nen tirani të nji Kalifi ose të nji Despoti autokrat e që, per me i pshtue robnisë së huej, u asht dashtë gjithmonë, ose nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të tretit, i cili i ka pshtue per me i pasë ma vonë si mashë per vedi.
Por, prej poezisë popullore, del në shesh edhe nji tjeter njollë e psikës sllave. Fatosat e Kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerzë të nji force të jashtzakonshme, si asht Akili, Dhiomedi ose Ajaksi në “Iliadë”. Nuk janë as vetje gadi të hyjnueshme, si Luçiferri i Miltonit në “Parrizin e djerrun”, po janë disa perbindsha të përçudnuem , qê s’di njeriu a janê kulshedra apo katallaj e maluketen tê trishtueshêm.
Kështu, bjen fjala, Kraleviç Marku, tash kërcen me sharcin e vet prej nji malit në tjetrin, tash han 50 okë groshë në hae, tash pin venë me lagena 12 okësh, tash e hjedh topuzin tri ditë udhë larg, etj. Kishe me thanë se madhnia e këtyne fatosave, perngjanë ma fort me madhninë e nji sfinksi që nuk asht, as shtazë, as njeri e që s’ ka asgja me natyren e mendjen e njeriut. Ai asht nji peshë shtjelli të çuditshëm, që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tue i ndi ato kangë, shpeshherë të duket vedi se je n’ ato kohë kur flitshin zogjtë e hardhucat, e kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbar; pra, në nji kulturë hindjane, kur poezia i perziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet, tue perftue kështu sfinkset, piramidat dhe poemat e pafundshme.
Mbasi pra, vjerrshtori sllav, per me mujtë me ba pershtypje në mendje e në zemer të popullit, me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me perftue do forma krejt shpellanike, si dhe fatosa matrahula e maluketën, me kenë se mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem, aqsa me i kuptue plotsisht përmasat e numrit, të peshës e të masës, prandej ka mbet ende në nji shkallë mjaft t’ ulët të qytetnisë.
Asht e vertetë se poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk rrjedhë prej njomsisë së ndjesive të shpirtit të tij, po prej servilizmit që e dallon. Tue i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej ose tiranit të vet, ai, per me e lurtue e per me ia këndellë veshët atij, ka kenë i ngushtuem me zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme nder poezitë e veta. Kurrkush nuk ka mënyra ma të bukura në të folun, se ata që sherbejnë nder pallate të mbretënve. E nuk ka pse të thonë kush ndryshej, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këtoforma shpellanike e të përbindshme nder poezitë e veta, si bjen fjala, ipogrifi i Ariostit. Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma, jo si nji ideal të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve të kalueme, perderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku, nuk do të kishte kenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae e kali i tij të mos hidhet mal më mal.
Derisa poezia popullore shqipe asht krejt ndryshej. Shqiptari, nder poezitë e veta, nuk këndon per tjerë, ai këndon vetem per vedi. Nder lufta e nder punë trimnije, ai nuk i ven shenj’ fakteve; ai shqyrton vetem rrezet e namit e të lumnisë që shkrepin prej atyne fakteve. E kështu, kah nami e lumnia asht prij ideali i tij dhe prej këtij ideali i mbushet Shpirti me entuzjazem, i gufon vetvetiut zemra nder kangë, të cilat i këndon si ai zogu i verës, i cili këndon jo per me e ndigjue të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue nder blerime e hije të rita të lugjeve, mbi ato stome gurrash të argjendta. E kah ai nuk i ka sherbye kurrkujt, fjala, thanja, si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e poezisë, i ec, tash e ambel si pranvera e Arbrit, tash e rrembyeshme si ato prrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurinë andej kah vjeshta. Ai nuk i dron nipat e fatosave të cilët i këndon nder kangët e veta e as që ua ka nevojen atyne. Ai këndon lirshëm, si t’ ishte i vetem mbi botë, botë e cila, per te, përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku vedin e mban mbret. Asht pra poezia, nji ode e rendit të parë, saqë s’ ka shumë vjet, filologu i permendun i Universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe, prej pikpamjes estetike, asht ma e bukra ndaj të gjitha poezive tjera t’ Europës.
Per në daçim, pra, me e gjykue punen simbas kritereve të njoftuna të psikologjisë, njeni nder të cilët asht shi poezia popullore, do të thomi se psika Shqiptare, persa i perket lakmimit per qytetni, i rrin perballë psikës sllave, ashtu si i rrin përballë legjenda, odes. Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e zhvillueme se ajo e Kombit Shqiptar. E per me e perforcue edhe ma shumë këte mendim t’emin, këtu due me ju prue edhe disa fakte prej të cilëve, Zotnija juej ka me e pa edhe ma kjarisht se, kundershtarët tonë, gjykimin e vet mbi Shqiptarët e japin, jo simbas së vërtetës, po simbas interesit të tyne.
Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë kenë të lirë e më vedi. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I -rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta Turko-Ballkanike, ka kenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa në Shqipni, që prej viti 1908, kur kje shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të Luftës Ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çel nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randsi, të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombtare, tue i dhanë në pak kohë, shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë kje përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyret administrative.
Mbrenda kësaj kohe kjen mbajtë tre Kongrese Gjuhësie(1), si dhe kjenë disa shoqni letrare, etj. etj…E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po pse, tash, inteligjenca sllave, që në Mal të Zi, gjatë 50 vjetve jetë kostitucionale nuk përfton kurrgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare (2) dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për Kombin?! Zotnij! Le të lehet njiherë në paqë shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë, ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë me kombe të tjera të Ballkanit, gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi Shqiptar i ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së Turkisë, Shqiptarë kanë kenë.
Shqiptar ka kenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu Shqiptar ka kenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në kjoftse bazohena në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, Shqiptar asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ua mbushë mendjen edhe ma mirë se Kombi Shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi Shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoir e descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejtë doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm që u këndohet kanga, se githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”, si u tha përsiper. Mandej Lordi Bajron, prej anës së vet gërthet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike: atje ka ende do familje për të cilat kishe me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.”
Dëshmi janë këto, Zotnij të mij, të cilat kishin me i shtue namin edhe nji Kombit ma të madh e të qytetnuem.
III
Tash, Zotnij, mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:
a) për nji pamvarsi politike e ekonomike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.
Mbi pamvarsi të Kombit Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë.
Dihet se kjo e drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete, mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit. Pamvarsia e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na mbetet tjetër, veçse me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo asht nji çashtje po aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.
Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të sigurta, mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë.
Mbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të teorive uilsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet e sa duhet.
Mbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht i lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm e me të padrejtë.
Por në bazë të cilit kriter ka për të mujtë me u caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? – Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lehet kurrsesi mbasdore.
Populli Shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, – kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një Kombsi krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’ Europës. Sepse, nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë tatue Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por as populli Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet, ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por, si prej njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka kenë ma i fortë se popujt që ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të gjithë ata që flasin shqip, janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye, Shteti Shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha Shqipe.
Tue pasë caktue këto parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të Shtetit Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çeshtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon, i cili ka kenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me dorë, se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje?
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit (1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të Nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë Serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë, e Greqia, nuk do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në Epir të Nordit, tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë” të vet! Qyshë se serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk kanë kenë grekë. Jo, po, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mija në Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina, për me mujtë me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë! Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem appellant.” Por, sa të kenë shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistika bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me rrena, le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë Shteti Shqiptar. Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato tokë që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve.
Veç shka se,tue bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky zotni na tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej Aleatëve tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë. Mbi këto fjalë që per ne kanë një randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë; por, pse s’po due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba vetëm një oroë mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca e Paqës e ka në mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në mollëz të shpatës, Zotnia juej e kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht kot që të tjerrë fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.
Qe, Zotnij, se shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnisë. E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga Alsazë-Lorena? Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë, në Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë! E pra, kujtoj unë, se, për me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë…
Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.
(“Shqiptarët e të drejtat e tyne” Shkoder, 1920)
***
Shenim nga Fritz Radovani:
Ky asht Teksti i plotë në gjuhën Shqipe i Fjalimit të përgatitun nga At Gjergj Fishta (Sekretar i Delegacionit në Konferencen e Paqes), që asht lexue në Paris prej të pershndritshmit e të përnderueshmit Imzot Luigj Bumçi (Kryetar i Delegacionit Shqiptar në 1919), Ipeshkëv i Lezhës, në gjuhen frengjisht, në sallen e Universitetit Katolik në Paris, dhe që nuk i asht ba asnjë ndryshim prej meje nga origjinali i botuem në vitin 1920 në Shkoder.
Kam theksue në dy vende të shkrueme nga At Fishta, nr.1 e nr.2, që tregojnë se në Shqipni u zhvilluen tre Kongrese Gjuhësije dhe se kishte edhe Gjuhë Letrare Shqipe. Kjo tregon mashtrimin e të së quejtunes “Akademi e Shkencave e R.P.S.Shqipërisë”, në vitin 1972, kur “zhvilloi kongresin e gjuhës njësuar”, që zhduku Gjuhen e vertetë Letrare Shqipe ku perfshihej dhe Gegënishtja e Veriut.
“Akademikët’ dhe ministrat e arsimit, vetem të mendojnë: “Kujt po i sherben sot heqja nga ju, e At Gjergj Fishtës dhe e Shkrimtarëve të Veriut, nga Historia dhe Letersia e Gjuhës Shqipe?”
Ju lutem mos ndryshoni dhe as, mos hiqni asnjë fjalë nga origjinali i këtij teksti!
Melbourne, Qershor 2019.
(Marrë nga “Dielli” New York)