Fiset e lashta që parashikuan pandeminë
Për më shumë se një shekull, grupet indigjene kanë paralajmëruar se shkatërrimi i natyrës mund të shpjerë deri te sëmundjet dhe shkatërrimi i jetës
Levi Sucre Romero kthehet prapa në kohë, kur dëgjoi lajmin gjatë janarit për koronavirusin që po infektonte njerëzit në Kinë.
“Sinqerisht nuk besoja se do të arrinte kaq shumë. Thosha se ishte shumë larg nesh”.
Anëtar dhe lider i Bribrit, një prej grupeve më të mëdha indigjene të Kostarikës, Romero jeton në Talamanca, rajon ky malor në jug të shtetit. Rajoni është i pasur me lumenj, xhungël të dendur dhe shi thuajse të përditshëm.
Ani pse shtëpitë prej druri të territorit Talamanca Bribri janë larg prej zonave të frekuentuara turistike, Romeros ia merrte mendja se ishte çështje kohe kur virusi do të mbërrinte aty. Ai beson edhe në diçka tjetër: se virusi u krijua nga lakmia e njeriut dhe trajtimit të keq ndaj planetit.
“E kemi prishur ambientin e specieve, kemi prerë drunjtë e krijuam monokultura. E kemi mbushur botën me qytete dhe asfalt, ndërsa po përdorim shumë kemikate. Krejt këto janë kombinim i praktikave të këqija”, ka thënë ai.
Si SARS-i dhe MERS-i, dy viruset e shkuara të familjes korona, edhe Covid-19 është sëmundje që vjen nga kafshët. Provat tregojnë se ka prejardhje nga lakuriqët dhe që është transmetuar te një specie tjetër pangolini – para se të kalonte te njeriu përmes një tregu në Wuhan të Kinës.
Ani pse origjina e saktë nuk dihet, hulumtimet e shumta kanë treguar se shpyllëzimi dhe tregtia e egër me kafshë kanë shtuar rrezikun për sëmundje, që mund të çojnë deri te pandemitë.
Sipas Romeros, këto dy aktivitete njerëzore janë shkatërrim i natyrës.
“Fisi im ka një legjendë kulturore që thotë se kur Sibo, Zoti ynë, krijoi Tokën, ai burgosi shpirtrat e këqij. Ata lirohen nëse nuk e respektojmë natyrën dhe nëse nuk jetojmë së bashku”, thotë Romero…