Fillon subvencionimi për ata që kursejnë energjinë elektrike
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është procesuar në llogaritë e konsumatorëve pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murati ka thënë se kush kursen energjinë elektrike, fiton dyfish.
“Të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin. Secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit”, ka shkruar Murati.
Ai ka marrë edhe një shembull se si funksionon kjo.
Sipas tij, për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.