Fillon seanca gjyqësore për rastin “Pronto”
Ka filluar seanca gjyqësore e shqyrtimit kryesor në rastin e njohur si “Pronto”, e ku pjesa me e madhe e të akuzuarve janë ministra e ish- ministra që janë edhe aktualisht zyrtarë të lartë në PDK.
Me të nisur seanca, kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti ka konstatuar praninë e të akuzuarve.
Në këtë seancë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre po i japin kundërshtimet e tyre për këtë aktakuzë.
Avokati i kryeprotagonistit të kësaj afere, Adem Grabovcit, avokati Florent Latifaj ka thënë se kundërshtimet për këtë rast i kanë bërë me shkrim dhe se nuk ka çka të deklarohet jashtë asaj që kanë shkruar në arsyetimin e kundërshtimeve.
Kurse avokati i të akuzuarit, Elhami Gashi ka thënë se shumica e kundërshtimit ka të bëjë me atë se shumica e provave në këtë rast janë nxjerrë jashtëligjshëm.
Avokati i ministrit të Besim Beqaj, Besnik Berisha ka thënë se nuk deklarohet për kundërshtime pa i dëgjuar përgjigjen e Prokurorisë se Shtetit në lidhje me këto kundërshtime.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.