Fillon punën “ministri i bacit”, për çka Haxhi Shala nuk donte ta votonte Qeverinë Hoti
Edhe Skender Reçica ka filluar punë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke nisur kështu mandatin e tij të dytë në këtë ministri.
Reçica mbajti një takim me stafin menaxhues të kësaj ministrie për të identifikuar sfidat që e presin këtë dikaster, derisa falënderoi stafin për punën e bërë gjatë pandemisë Covid-19 dhe për angazhimin e tyre në implementimin e masave financiare.
Ministri që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate theksoi se duhet vazhduar projektet e filluara në të mirë të qytetarëve, si dhe vazhdimin e projekteve të filluara në mandatin e kaluar dhe angazhime të tjera për ngritjen e mirëqenies sociale në përgjithësi.
Ky është mandati i dytë i Skender Reçicës në krye të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kjo ishte arsyeja që Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, deri në momentet e fundit nuk donte të votonte Qeverinë Hoti.
Deputeti i Nismës në disa deklarime të bëra dy ditë para se të mbahej seanca e Kuvendit dhe në ditën e votimit, la të kuptohej se problemi i tij nuk ka qenë me Qeverinë e Avdullah Hotit, por me zhvillimet brenda partisë së tij.
Shala ka thënë se i ka mbetur hatri me emërimin e Skënder Reçicës për herë të dytë ministër, duke thënë se i njëjti nuk i ka sjellë vota partisë.
Ai për këtë emërim e ka akuzuar direkt kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqin, duke thënë se Reçica është bërë ministër për hatër të “Bacit Jakup”.
“Unë i kam vërejtjet e mia për ministrat. Për njërin s’kam vërejtje dhe ai është Vesel Krasniqi. Edhe Skënder Reçica është djalë i mirë, partia ia ka dhënë mundësinë një herë. Dhe kur ta jep partia mundësinë një herë, duhet fituar vota pastaj. Ne e kemi bërë ministër jashtë Malishevës, për t’i sjellë vota partisë. Ai është ministër për hatër të bacit Jakup”, ka thënë Shala.
Për këtë çështje FaktePlus ka kontaktuar me Jakup Krasniqin, por ai nuk ka dashur shumë të lëshohet në deklarata.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë ka thënë kolegu i tij partiak.
“Nuk jam në dijeni për këtë rast. Deri më tani nuk kam dëgjuar asgjë, por do të bisedojë në parti se çfarë është fjala”, ka thënë Krasniqi për FaktePlus.
Kujtojmë se Qeveria Hoti ishte e varur vetëm nga vota e Haxhi Shalës, i cili pas deklaratave të shumta për mosvotimin e kësaj qeverie, një takim i mesnatës ka bërë të ndryshojë çdo gjë.
Në fakt, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i partisë së AAK-së, Ramush Haradinaj ishin arsyeja pse deputeti i Haxhi Shala ndërroj tërësisht mendimin e tij dhe të jep votën për qeverinë.
Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori më 3 qershor besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kabineti qeveritar mori votat e vetëm 59 deputetëve të subjekteve në koalicionin e ri qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, ndërsa arriti në numrin 61 falë edhe votave të dy deputetëve të Aleancës Kosova e Re (AKR), parti kjo që do të jetë në opozitë.
Qeveria Hoti erdhi si rezultat i koalicionit të LDK-së me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.
Kjo qeveri do të ketë 16 ministri, 4 zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj nuk është treguar se sa zëvendësministra do të jenë./FaktePlus
Akuzat e Haxhi Shalës për “ministrin e bacit”, flet Jakup Krasniqi