Fillon monitorimi, partitë e kandidatët që shkelin rregullat do të dënohen
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka filluar monitorimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë që garojnë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit dhe gjithë ata që shkelin rregullat e garës dhe ligjet në fuqi edhe mund dënohen.
Edhe pse sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gara apo fushata zgjedhore nuk do të fillojë deri me 25 shtator, subjektet politike, por edhe kandidatët e tyre për deputetë, tashmë kanë nisur fushatën, shkruan FaktePlus.
Tubime të shumta, debate televizive, deklarata në media dhe postime nëpër rrjetet sociale, të përcjella edhe me reklama, kanë marrë hov ditëve të fundit. Gjithë këto aktivitete kanë nisur të monitorohen nga institucionet e shtetit dhe organizatat joqeveritare.
Për nisjen më herët të fushatës nuk parashihen sanksione, por kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku u ka kujtuar subjekteve garuese të zgjedhjeve dhe kandidatëve të tyre, që duhet të kenë kujdes, se mund të dënohen nëse shkelin Ligjin e Zgjedhjeve sipas nenit 33.
“Me ligj precizohen veprimet që janë të dënueshme. Por, në Ligjin e Zgjedhjeve nuk është përfshirë sanksionimi i fushatës nëse fillon para caktimit zyrtar të zgjedhjeve e që nënkupton se PZAP-i nuk mund të caktojë dënime lidhur me këto aktivitetet që po bëjnë subjektet politike në këtë kohë. Mirëpo PZAP mund të caktojë dënime për veprimet e ndaluara sipas nenit 33 të LZP-së”, ka thënë Desku për FaktePlus.
Edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron fushatat e partive politike dhe zgjedhjet, thonë se kandidatët për deputetë dhe partitë politike gëzojnë të drejtën për zhvillime të aktiviteteve politike dhe të takohen me elektoratin e tyre.
Zyrtarja e KDI-së, Blerta Aliu ka treguar për FaktePlus, se gara lejohet, por subjektet politike duhet të kenë kujdes dhe të mos bëjnë veprime që bien ndesh me ligjet.
“Janë një numër i rregullave që duhet të respektohen gjatë fushatës. Është e ndaluar nxitja e gjuhës së urrejtjes, përdorimi i resurseve publike për me i vendos në favor të fushatës për një subjekt politik, pastaj dëmtimi i produkteve të partive kundërshtare … janë një varg rregullash të kodit të mirësjelljes qoftë të partive apo kandidatëve që duhet të respektohen. E në rast se ato shkelen, palët munden me u anku. Dhe pastaj janë të parapara sanksionimet me ligj”, ka shpjeguar Aliu.
Në nenin 33 të Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme thuhet se gjatë periudhës së fushatës, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre, u ndalohen bërja e ndonjërës veprim si në vijim:
Heqja, mbulimi, dëmtimi ose ndryshimi i ndonjë njoftimi, pllakati, posteri ose materiali tjetër, i cili përdoret për qëllime të fushatës zgjedhore nga ana e një subjekti tjetër politik. Mandej vendosja e njoftimeve, pllakateve dhe posterëve dhe vendosja e emrave të tyre ose e sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike ose godinave në apo mbi rrugët publike, në shenjtat publike të trafikut, brenda ose jashtë hapësirave ose ndërtesave të zëna ose, ndryshe, që shfrytëzohen nga organizatat ndërkombëtare, ose brenda ose në hapësirat private pa lejen e pronarëve ose shfrytëzuesve.
Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë zgjedhjeve të fundit që janë mbajtur në vend, ato të 22 tetorit të vitit 2017, ka shqiptuar një numër goxha të madh dënimesh. Marrë së bashku të gjitha subjektet dënimet e PZAP-së kishin shkuar deri në 257 mijë e 350 euro.
E gjithë këto dënime partitë i kanë paguar, pasi në bazë të ligjit aktual në fuqi, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara për zgjedhjet paraprake nga PZAP-ja./FaktePlus