Fillon “lufta” për zgjedhjet në Podujevë, LVV ia merr një zyrtar të lartë LDK-së (Foto)
15 marsi i këtij viti do të jetë dita kur tri partitë politike më të mëdha të vendit, LVV, LDK dhe PDK me kandidatët e tyre do t’i masin forcat në Komunën e Podujevës.
Kjo për shkak se pikërisht në këtë ditë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune.
E tashmë sa po i afrohemi datës për fillimin edhe zyrtar të fushatës për kryetar të Podujevës, ka nisur edhe të ashpërsohet “lufta”.
Sot në orët e paradites Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se radhëve të saj i është bashkuar edhe një zyrtar i lartë që deri më tani ka vepruar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai është Avni Fetahu, i cili është asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës dhe Kryesues i Këshilltarëve Komunal të LDK-së në këtë komunë.
Avniu është magjistër në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
“Përvoja, dija e tij dhe profesionalizmi i Avni Fetahut do t’i shërbejë shumë Lëvizjes sonë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror. Avni Fetahu ka përvojë të gjatë menaxheriale duke qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik si dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës. Ka marrë pjesë në shumë vizita studimore dhe në konferenca ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë se zgjedhjet për kryetar të Podujevës erdhën për shkak se kryetari i deritanishëm Agim Veliu dha dorëheqje pasi mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
Ndryshe, fushata zgjedhore për kryetar komune në Podujevë do të jetë vetëm 10 ditë. Fushata sipas përcaktimit të KQZ-së fillon më 3 mars dhe do përfundojë më 13 mars./FaktePlus