Fillojnë reshjet e borës- MIT: I kemi marrë masat e duhura për mirëmbajtjen e rrugëve
Pas rënies së temperaturave ditëve të fundit në Kosovë dhe reshjeve të borës në zonat malore, sot kanë filluar reshjet e tyre edhe në pjesët më të ulëta të relievit. Reshje pritet të ketë edhe në ditët në vazhdim e bashkë me to edhe rrugët të bëhen vështirës të qarkullueshme. E përderisa këto reshje shpesh i kanë zënë në befasi komunat e ministrinë, për këtë vit po thuhet se janë marrë masat e nevojshme.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bëri të ditur se janë marrë masat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Sipas zyrtarëve të ministrisë janë angazhuar nga dy kompani për çdo regjion, kurse tri të tjera për autostrada.
“Si çdo vjet, Ministria e Infrastrukturës e ka sezonin veror dhe dimërore të mirëmbajtjes së rrugëve. Sezoni dimërore fillon më 15 nëntor dhe varësisht prej reshjeve ajo pritet të përfundojë në mars, eventualisht më 31 maj. Janë shtatë regjione të mbuluara nga dy kompani për secilin regjion që i bie të jenë gjithsej 14 kompani dhe tri kompani të tjera të cilat kanë për qëllim mirëmbajtjen e autostradave. Të gjithë janë të përgatitur me makineri dhe në rregull e kanë anën teknike ”, ka thënë për FaktePlus Fillojetë Konjuhi, zëdhënëse në këtë institucion.
Deri tash, nga ky institucion kanë thënë se ka pasur një intervenim vetëm në rajonin e Ferizajit, më saktësisht në drejtim të maleve të Sharrit, javën e kaluar
E për këtë vit, janë paraparë afër 6 milionë euro për mirëmbajtje dimërore, thonë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit
Risi në këtë vit sipas tyre është edhe mirëmbajtja e autostradës “Arbën Xhaferi”, për mirëmbajtjen e të cilit janë kontraktuar dy kompani.
Ndërsa sa i përket intervenimit në komuna në raste të jashtëzakonshme, Konjuhi ka thënë se duhet të bëhet kërkesë.
“Sa i përket komunave, gjithmonë MIT ka pasur raste edhe në Gjakovë kur komuna ka kërku me i pastru rrugët lokale. Ata duhet të bëjnë kërkesë në MIT në mënyrë që ajo t’u përgjigjet në kërkesën e tyre. E kemi pasur rastin e Gjakovës kur ka raste të jashtëzakonshme duhet të bëhet kërkesë në ministri që t’u ndihmohet”, ka deklaruar tutje Konjuhi./FaktePlus