Fillojnë bisedimet e paqes mes qeverisë e talibanëve në Afganistan
Në Doha të Katarit, të shtunën filloi ceremonia hapëse e bisedimeve të paqes mes qeverisë afgane dhe përfaqësuesve të grupit militant të talibanëve. Përmes këtyre bisedimeve synohet fundi i gati dy dekadave luftë, në të cilën janë vrarë dhjetëra mijëra luftëtarë e civilë.
Konflikti 19-vjeçar është gjithashtu ndërhyrja më e gjatë ushtarake e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Me këtë çështje kanë qenë të detyruar të merren tre presidentë amerikanë deri më tani, shkruan Reuters.
Ceremonia e fillimit të bisedimeve nisi në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale me recitim të Kuranit dhe më pas me komentet e ministrit të Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Pjesëmarrës të rëndësishëm në këtë proces, përfshirë udhëheqësin e këshillit për paqe të Afganistanit, Abdullah Abdullah, liderin e talibanëve, Mulla Baradar Akhund, dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, gjithashtu pritet ta marrin fjalën.
Zyrtarët, diplomatët dhe analistët thonë se ndonëse ulja e palëve në tavolinën e bisedimeve është arritje, kjo nuk nënkupton që rruga drejt paqes do të jetë e lehtë.
Sipas një diplomati evropian në Kabul, arritja e një armëpushimi, të cilin deri më tani e kanë refuzuar talibanët, pritet të jetë në krye të agjendës së bisedimeve
Fillimi i këtyre bisedimeve u mundësua kryesisht nga suksesi në marrëveshjen për shkëmbimin dhe lirimin e të burgosurve nga të dyja palët dhe ndërmjetësimi i vazhdueshëm i të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara për procesin e paqes në Afganistan, Zalmay Khalilzad.