Fidan Aliti në ekipin ideal të javës në Suedi
Futbollisti kosovar po shkëlqen në kampionatin suedez, ndërsa fundjavën që shkoi shënoi gol në fitoren ndaj AIK-ut. Me këtë rast, qendërmbrojtësi kosovar përfundoi në ekipin ideal të kësaj xhiroje në Allsvenskan.
Fidan Aliti po gëzon formë të shkëlqyeshme.
Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Kalmarit, ku është bërë pjesë e rregullt dhe e rëndësishme e ekipit suedez.
Qendërmbrojtësi kosovar bëri lojë mjaft pozitive edhe në duelin e fundit, në fitoren 2:1 të Kalmarit ndaj AIK-ut.
Përpos stabilitetit në mbrojtje, Aliti arriti të shënonte edhe gol në minutën e 44-t, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 20-të.
Prandaj, Aliti u përfshi në ekipin ideal të kësaj jave në kampionatin suedez të futbollit – Allsvenskan.
Aliti, i cili ishte transferuar në Suedi nga Skënderbeu, kohëve të fundit është bërë po ashtu pjesë e rregullt dhe e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës.
Ai pritet të përfundojë në zemër të mbrojtjes së bashku me Amir Rrahmanin në dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2020 në shtator ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.