FFK-ja nuk do të heq dorë nga vendimi për të zvogëluar Superligën
Situata e jashtëzakonshme e krijuar nga koronavirusi nuk e vë fare në diskutim vendimin që Superliga e Kosovës në futboll nga edicioni i ardhshëm t’i ketë vetëm dhjetë skuadra.Futbolli në Kosovë aktualisht është i pezulluar për shkak të koronavirusit, ndërsa nuk ka një datë se kur do të vazhdohet me ndeshje.
Por në FFK janë të vendosur për të përfunduar edicionin dhe kështu gara në fushë të përcaktojë skuadrat që do të largohen nga elita.Por nëse eventualisht situata me koronavirus nuk përmirësohet dhe kampionati megjithatë nuk vazhdon, atëherë do të vlente renditja aktuale. Kjo nënkupton se nga Superliga do të largoheshin Trepça ’89, Ferizaj, Vushtrria e Dukagjini.
Këto janë skuadrat që aktualisht renditen prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të, që në fund të edicionit nuk garantojnë mbetjen në Superligë.Nga Liga e Parë në Superligë kalojnë dy skuadra dhe kjo bënë që elita edicionin e ardhshëm të ketë dhjetë skuadra gjithsej.“Interesi i futbollit kosovar është që Superliga t’i ketë dhjetë skuadra dhe çështja e zvogëlimit të numrit të skuadrave të Superligës as që duhet të vijë në diskutim“, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për Koha.net.
Sipas tij çdo vendim do të merret në konsultim me UEFA-n dhe në bazë të sugjerimeve të saj. UEFA të enjten e ka lënë mundësinë e hapur që disa kampionate të mos përfundohen. Nëse ndodh kjo atëherë dalja në Evropë do të bëhet në bazë të renditjes së deritashme. Mbi të njëjtin parim pritet të rregullohet edhe çështja e largimit nga Superliga, pra në bazë të renditjes aktuale, nëse eventualisht gara nuk vazhdon.
“Qëllimi është të përfundohet kampionati. Kemi kohë deri më 20 korrik dhe ne vlerësojmë se koha është e mjaftueshme për të përfunduar të gjitha ndeshjet. Nëse eventualisht ndeshjet nuk luhen, që nuk besojmë se do të ndodhë, atëherë do të vlente renditja, në bazë të sugjerimeve të UEFA-s”, ka shtuar Salihu.Sipas tij është mirë që në Superligë janë përfunduar dy faza të garës dhe kjo jep mundësi për opsione tjera, duke përfshirë edhe plejofin e plejautin. Por Salihu ka thënë se nuk ka vendim për këto çështje. Ai po ashtu e ka lënë mundësinë të hapur që në vend të dy ndeshjeve gjysmëfinale të Kupë të luhet vetëm nga një.Të enjten në Zvicër është hequr dorë nga ideja që Superliga të rritet nga 10 në 12 skuadra. Superliga helvetike do të vazhdojë të ketë dhjetë skuadra.