FFK harxhon deri 30 mijë euro që “VIP-politikanët” të hanë e pinë sa herë Përfaqësuesja luan në Prishtinë
Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi një miqësore më 21 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse katër ditë më vonë, më 25 mars u ballafaqua në Prishtinë me Bullgarinë, duke nisur kështu ciklin eliminator të Kampionatit Evropian “Euro 2020”.
Duke qenë në kulmin e saj të suksesit që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, më saktësisht që nga ardhja e trajnerit Bernard Challandes, Kosova ka zhvilluar 12 ndeshje dhe nuk ka asnjë humbje, e ka shënuar 8 fitore dhe 4 barazime.
Kështu me lojën e mirë, Përfaqësuesja e Kosovës ka ngjallur tifozerinë dhe stadiumi gjithherë po mbushet e nuk po i zë të interesuarit për të parë nga afër ndeshjet e saj.
Por, ajo çfarë është shqetësuese në këtë periudhë të mirë që po kalon Kosova, është fakti se si Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), po i menaxhon biletat e dedikuara për personat VIP.
Kemi parë se në mesin e shumë tifozëve të pranishëm në stadium, ndeshjen e fundit tribuna VIP kryesisht përbëhej nga politikanët e Kosovës, zyrtarë të ministrive, këshilltarë ministrash, familjarë, shokë e dashamirë të tyre.
Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Fatmir Sejdiu, Shpend Ahmeti, Ramush Haradinaj, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Uran Ismaili ishin ndër politikanët e pranishëm në dy ndeshjet e fundit në stadium për ta përkrahur Përfaqësuesen e Kosovës.
Ata përveç biletës falas që morën, edhe hëngrën e pinë pa futur dorën në xhep, pra krejtësisht falas. E kjo Federatës së Futbollit të Kosovës i kushtoi mbi 100 euro për secilin prej tyre.
Pjesa VIP e
Pjesa e dedikuar për VIP-a, e cila posedon 1000 mijë ulëse, në ndeshjesh kundër Bullgarisë me 25 mars kishte tejkaluar numrin e caktuar të biletave që jepen falas me mbi 90 për qind, bëjnë të ditur burime të FaktePlus.
Kujtojmë se Federata e Futbollit të Kosovës për çdo biletë VIP që jepet falas i paguan edhe 30 euro ekstra Hotelit Emerald, për ushqimet që i sjell në stadium.
Pra FFK-ja për një ndeshje që zhvillon përfaqësuesja dhe 1000 biletat VIP i paguan rreth 30 mijë euro Emeraldit për shërbimet e restorantit, i cili sjell ushqim e pije për zyrtarët e shtetit.
“Ne e kemi obligative për të ofruar shërbimin e restorantit në kuadër të biletës VIP, pavarësisht a jepet ajo falas apo paguhet. Hotelin Emerald e kemi sponsorin kryesor të FFK-së”, është arsyetuar në një prononcim për FaktePlus, Diturie Hoxha zyrtare për media e FFK-së.
E pyetur se si është përzgjedhur Hoteli Emerald në mesin e ofertuesve të tjerë për të ofruar këto shërbime, Hoxha ka thënë se nuk e di mënyrën e përzgjedhjes veç se sponsor kryesor është Hoteli Emerald.
E faktin se bileta nuk po paguajnë politikanët e pranon sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se tani është duke u shqyrtuar mënyra e ndarjes së biletave falas.
“Jemi duke e shqyrtuar që të gjitha biletat të dalin në shitje, madje edhe për vetë punëtorët e Federatës nëse duan të futen në stadium, ta blejnë biletën”, ka thënë Salihu.
Duhet theksuar se suksesi i Kosovës në Ligën e Kombeve, e cila përfundoi e para në grup dhe arriti te kualifikohej për play-off për Kampionatin Evropian 2020, u pushtua nga shumë medie botërore, duke e cilësuar Kosovën si një përfaqësuese me një potencial të madh dhe një të ardhme te ndritshme.
Por, ajo çfarë është shqetësuese në këtë periudhë të mirë që po kalon Kosova, është mënyra e menaxhimit që po bëjnë drejtuesit e FFK-së, në gjithë fushat si edhe me bileta.
Po ashtu shqetësues është fakti se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi po akuzohet nga Prokuroria për kryerjen e disa veprave penale.
Kujtojmë se kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi po përballet me gjyqin me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke./FaktePlus