Ferronikeli sërish në krizë, rrezikohen mbi 800 punëtorë
Fabrika kryesore e metalit në Kosovë “New Co Ferronikeli”, ndodhet sërish në krizë. Janë mbi 800 punëtorë që rrezikojnë të humbasin vendet e tyre të punës. Punëtorët e kësaj kompanie nga muaji dhjetor do punojnë me gjysmë orari dhe do paguhen më pak.
Nga data 1 dhjetor kjo fabrike planifikon që punëtorët të punojnë me 50% të orarit kurse të njëjtit do të kompensohen me 75% të pages.
Gazeta Insajderi ka siguruar një njoftim për punëtorët të lëshuar nga kjo fabrikë, aty thuhet se si pasojë e kushteve të tregut prodhimi është ndaluar.
“Si rezultat i pezullimit të aktivitetit prodhues të punëdhënësit, ju njoftojmë se duke filluar nga data 01 Dhjetor 2023 deri në njoftimin e radhës, punëmarrësi do punojë me orar të reduktuar në masë prej 50% dhe do pranojë 75% të pagës bruto për këtë periudhë“, thuhet në njoftim.
Zëdhënësit i kompanisë, “New Co Ferronikeli, Shpend Gudaqi, i tha Insajderit se prodhimi është ndal nga muaji i kaluar.
Në shkurt të këtij viti ishin falur Ferronikelit 9 milionë euro nga Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kujtojmë se në qershor gjiganti metalurgjik “NewCo Ferronikeli”, i vendosur në Drenas, bëri të ditur se konglomerati ndërkombëtar me bazë në Turqi “Yildirim”, ka blerë pronësinë e fabrikës me të gjitha pasuritë dhe pronat përreth, pas një marrëveshjeje me Grupin investues BALFIN nga Shqipëria.