Fermerët kërkojnë ndryshimin e ligjit, thonë se shumë toka do të mbesin djerrina
Përveç kostove për plehra dhe fara, fermerit Valon Vehapi nga viti i ardhshëm do t’i shtohet edhe një kosto tjetër, ajo për tatimin për tokën bujqësore.
Fermeri nga Lipjani shprehet se nuk mund ta përballojë këtë kosto shtesë dhe kërkon që ligji të rishikohet.
“Ato toka të cilat janë të punueshme dhe janë djerrina do ta kenë kaq koston e pagesës e të lirohen tokat që janë të punueshme. Nëse Ministria e Bujqësisë nuk kishte dalë me përkrahjen e subvencioneve, ju garantoj që 90 për qind e tokës do të kishte mbetur e papunuar”, ka thënë ai.
Kjo taksë do të nisë të aplikohet nga viti i ardhshëm pas plotësim-ndryshimit të Ligjit për Tatim në Pronën e Paluajtshme nga Kuvendi i Kosovës. Me ligjin aktual, tokat bujqësore të kultivuara, ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.
Ky ligj, sipas Naim Ismajlit, koordinator për Bujqësi në PDK, përveç se demotivon prodhuesit, ndikon që tokat të mbesin djerrina.
“Çka po bëjmë me këtë ligj po ngarkon fermerin. Në njëfarë forme, kjo po i bie që unë po jap subvencione, po në anën tjetër unë po ta nxjerr në anën tjetër. Unë mendoj që ky ligj është i dëmshëm”, ka thënë Ismajli.
E Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve, thotë se pavarësisht ngarkesës, bujqit janë të gatshëm të paguajnë, por shumë prej tyre nuk i kanë të qarta kriteret.
Përveç kësaj, Tahiri thotë se problem i madh është edhe pronësia e tokave.
“Shumë bujq nuk e kanë tokën në emër të vetin. Shumë bujq, tokat e tyre janë në emër të gjyshit ose të babagjyshit, shumë bujq i kanë blerë tokat prej serbëve dhe u kanë mbetur të pa përkthyera. Ose edhe kanë marrë tokat prej komshiut, kanë blerë toka prej komshiut, edhe toka ka mbetur në emër të pronarit të vjetër”, ka thënë Tahiri.
Tatimi për tokat bujqësore përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës – përkatësisht çmimi për metër katror, me normën tatimore.
Reagime të shumta ka pasur javëve të fundit nga opozita, e cila ka akuzuar pushtetin se më këtë ligj do të trefishohet shuma e tatimit në pronë.
E nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë njoftuar se Ministria e Financave e ka shtyrë për vitin 2026 afatin e zbatimit të normës tatimore progresive për prona komerciale pas insistimit të tyre.