Fermerët e dëmtuar kërkojnë kompensimin e dëmeve
Ndonëse dëmet e shkaktuara në bujqësi vitin e kaluar u vlerësuan milionëshe, nga Ministria e Bujqësisë asnjë bujk akoma nuk është kompensuar. Fermerët e dëmtuar kërkojnë kompensimin e dëmeve. Ekspertët e bujqësisë, ndërkaq zgjidhjen e këtij problemi e shohin me fillimin e sigurimeve në bujqësi, me çka, sipas tyre, do të nxitej zhvillimi i këtij sektori.
Breshëri dhe reshjet e shumta të shiut gjatë vitit 2018, i sollën shumë dëme bujqve kosovarë.
Njëri nga ta është edhe Dashmir Duraku, nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Ai tregon për dëmet e shkaktuara nga kushtet e pafavorshme klimatike, ndërsa shton se për dëmet që ishin të mëdha, nuk është kompensuar nga askush.
“Një hektar që e kemi pasur të mbjellë me speca, vërshimet na e kanë prishur. 50 ari i kemi pasur me patate, edhe këto lagështia na i ka prishur, kur edhi koha për t’i nxjerrë, kanë qenë krejt të kalbur. Një hektar tjetër me spec na e ka prishë edhe sëmundja e pikës. Dëme ka pas shumë, sa që s’kemi pasur as çka me vjelë, as çka me shitë. Edhe pse, kanë qenë e i kanë vlerësuar dëmet, kompensimi hala nuk është bërë”, tha Duraku.
Fatin e njëjtë me të Dashmirit, e patën edhe shumë krushjanë të tjerë. Kryetari i këtij fshati, Selami Hoti, pohon se viti i kaluar ishte i rëndë për krushjanët, por bujqit nuk janë kompensuar, me gjithë premtimin që e kishte dhënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
“Ne ende si fshat nuk kemi marrë asnjë kompensim të dëmeve. Shpresojmë se kompensimi do të bëhet, në të kundërtën, edhe ashtu bujqësia shumë e rënduar në Krushë, e me zvogëlim drastik të numrit të fermerëve, e mund të ndodhë që kjo lëmi të vështirësohet akoma e ndoshta një ditë edhe të zhduket fare”.
Në lidhje me moskompensimin e bujqve, Radio Kosova i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë. Adem Arifaj, kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve në këtë ministri, duke mos dashur të flasë tha shkurt se vlera e dëmeve të shkaktuara në bujqësi vitin e kaluar, është mbi 8 milionë euro, dhe nga kjo ministri nuk është kompensuar asnjë bujk i dëmtuar.
Profesori i bujqësisë, Shukri Fetahu, thotë se bujqit e dëmtuar duhet kompensuar. Sipas tij, zgjidhja me e mirë për këtë çështje do të ishte fillimi i sigurimeve në bujqësi.
“Na jemi tepër tepër vonë për t’i siguruar të mbjellat. Sepse, fushat janë “fabrika pa kulm”. Askush nuk mund t’ia qetë “çadrën” arave a pemishteve që t’i mbrojë nga acari, breshëri, thatësira, zjarret e këto. Prandaj, sigurimi është i domosdoshëm dhe në krejt botën ndodhë kjo punë”, tha ai.
Sipas profesor Shkuri Fetahut, mos kompensimi i dëmeve po demotivon bujqit për të punuar tokën. Ai beson se implementimi i sigurimeve bujqësore do të stimulonte zhvillimin e bujqësisë, me çka do të hapeshin edhe vende të reja të punës.