Ferat Shala tregon rrugëtimin jetësor me gruan Salen
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Ferat Shala e ka nisur ditën e sotme duke pirë një kafe me gruan e tij, Salen, me ç’rast ka treguar për rrugëtimin e tyre jetësor dhe përplasjet me gjithfarë sfidash që kanë kaluar së bashku.
Në një postim në rrjetin social, Shala ka treguar se si ka njohur bashkëshorten, e cila i është bërë krah gjatë periudhave të rëndësishme edhe për çlirimin e vendit.
“Kur më zgjodhi mua – ajo zgjodhi dhe një fat ndryshe nga shumë shoqe të saj. Në dhomën e bashkëshortësisë sonë më shumë ndrynin libra “të ndaluar” dhe armë, se sa pajë e nusërisë së saj… Edhe nëse s’e patëm kohën e mjaftueshme ne na përmbushi dhe na mjaftoi dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin”, ka thënë Shala.
Ky është postimi i plotë:
Një kafe me gruan time, Salen.
Me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë po e kuptojmë se sa pak kohë paskemi pasur për njëri-tjetrin.
Rrugëtimi ynë jetësor na ka përplasur në gjithfarë sfidash, por gjithmonë bashkë ia kemi dalë mbanë.
Jemi rritur bashkë me idealet e këtij vendi. Bashkë kemi rënë në burg kur kemi qenë fare të rinj, por s’jemi thyer asnjëherë.
Jemi përballuar me izolimin, me diferencimin … edhe me skamjen, por gjithmonë kemi besuar tek dashuria dhe shpresa.
Kur më zgjodhi mua – ajo zgjodhi dhe një fat ndryshe nga shumë shoqe të saj. Në dhomën e bashkëshortësisë sonë më shumë ndrynin libra “të ndaluar” dhe armë, se sa pajë e nusërisë së saj.
Gjatë kohës së luftës shpesh kishte marrë edhe lajme morti për mua, por ajo nuk ishte ligështuar … gjithmonë ka besuar se një ditë do t’ia dilnim.
Kur e kishte vënë firmën në Deklaratën e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, bashkë me emrit e saj e ka shkruar emrin tim.
Edhe nëse s’e patëm kohën e mjaftueshme ne na përmbushi dhe na mjaftoi dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin.