Fëmijët e braktisur që gjetën dashuri në familje të reja
Pa fajin e tyre, ata “dënohen” të rriten pa ngrohtësinë, fjalët dhe dashurinë e nënës dhe babait.
Prindërit e tyre biologjikë i lanë rrugëve, por është SOS Fshati i Fëmijëve dhe disa familje që “engjëjve” të braktisur u munduan t’ua ofrojnë dashurinë që se gjetën tek prindërit biologjikë.
Edhe pse dukuria e braktisjes ka shënuar rënie në Kosovë, vetëm në vitin 2018 janë evidentuar 28 raste të tilla, kurse nga janari e deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 22 raste të fëmijëve të braktisur.
Që nga viti 2001 në Kosovë janë rreth 500 fëmijë që kanë shkuar në adoptim ose edhe strehim familjar, ndërkaq aktualisht në SOS Fshatra janë 62 fëmijë.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Nezahat Ramadani-Salihu, drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve.
“Prej vitit 2001 e deri më tash rreth 500 fëmijë kanë shkuar në adaptim ose edhe strehim familjar., ose ribashkim. Momentalisht këtu në SOS Fshatrat e Fëmijëve kemi 62 fëmijë të vendosur në projektet tonë dhe ne kujdesimi për ta derisa të shohim që ata kanë mbërri moshën për me u përkujdes vetë, pra me u ballafaqu me gjitha sfidat që ata i kanë”, tha ajo.
Ajo ka treguar se zakonisht të braktisur janë të sapolindurit, kurse fëmijët që humbin kujdesin prindëror mund të jenë edhe të moshave më të mëdha.
“Zakonisht fëmijët e braktisur janë në lindje. Kryesisht te ne braktisën në lindje. Derisa fëmijët që humbin kujdesin prindëror mund të jenë edhe të moshave më të mëdha. Ne kemi edhe fëmijë që janë nga katër ose pesë fëmijë të një familje biologjike, të cilët ne i strehojmë në forma të strehimit alternativë që ne i kemi si SOS Fshatra të Fëmijëve dhe ata jetojnë derisa të mbërrijë pavarësinë e tyre të plotë. Ndërsa bebet, është projekt tjetër i kujdesit alternativ të cilët qëndrojnë tek ne derisa të gjendet ndonjë familje adaptuese ose strehuese të cilët pastaj kanë me u ri-bashku”, tha Ramadani-Salihu.
E për arsye të ndryshme, ka raste kur fëmijët ri-braktisen.
Megjithëkëtë, është duke rënë numri i fëmijëve që po braktisen, por është numër i madh që interesohen për të adoptuar fëmijë.
Më së shumti kërkohet që të adoptohen të sapolindurit. E në SOS Fshatra ka edhe raste që janë 3, 4 ose 5 fëmijë që janë vëllezër e motra e që u braktisën nga prindërit e tyre.
“Shumë më shumë kemi kërkesa për adoptim të fëmijëve, sesa që ka fëmijë. Te ne fatkeqësisht është se kërkohet adoptimi i fëmijëve që janë bebe, derisa fëmijët më të rritur është pak problem. Kërkesa për ta nuk kemi pas deri tash edhe është problem se fëmijët e rritur që i kemi janë fëmijë biologjik të një familje. Aty munden me qenë, 3,4,5, vëllezër ose motra dhe asnjë familje nuk është treguar e gatshme me i adobtu katër ose pesë fëmijë. Kështu ata mbetën së bashku deri të rriten dhe vazhdojnë jetën e tyre”, tregon ajo.
Janë gjashtë shtëpi të cilat janë ndërtuar për fëmijët e braktisur, por aty nuk po qëndrojnë më këta fëmijë.
Drejtoresha e SOS ka thënë se fëmijët janë strehuar nëpër banesa me qira dhe familje, në mënyrë që mos të bëhet stigmatizimi i tyre.
“Realisht janë gjashtë shtëpi, por ne fëmijët nuk janë këtu. Ata janë të integruar në komunitet, për arsyeje të stigmatizimit nuk kemi dashur që ata të jetojnë këtu dhe të njihen si fëmijë SOS, kështu që ata janë në banesa ose shpi me qira në komunitet. Ata vazhdojnë jetën si çdo familje normale. Nuk është që i kanë stigmatizuar, pro megjithatë të jetosh në një rrethinë kur të gjithë e dinë se aty janë fëmijët e braktisur për atë fëmijë nuk mendoj që është një ndjesi e mirë. Por tash ata që janë në komunitet, ata luajnë me fëmijët e lagjeve, shkojnë në shkolla bashkë, në kopsht dhe jetojnë ashtu siç do familje tjetër”, thotë ajo.
Drejtuesit e SOS Fshatrave të Fëmijëve presin që shteti me ligje të reja t’u dalë në përkrahje këtyre fëmijëve./FaktePlus