Fehmi Mehmeti: Lehtësimi i masave kufizuese dhe ndikimi i tyre
Shkruan: Fehmi Mehmeti
Muaji qershor 2020 e gjen Kosovën në një situate më pak kritike krahasuar me 16 marsin 2020. Sipas IKShPK-së dhe zyrës së OBSh-së në Kosovë, situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të zvogëluar, krahasuar me situatën paraprake.
Më 1 qershor filloi faza e tretë e lehtësimit të masave kufizuese. Në këtë fazë filloi hapja e kufijve dhe kafeneve dhe restoranteve. Gjithashtu u hapën çerdhet e fëmijëve, si dhe u lejua mbajtja e disa provimeve të arritshmërisë, maturës e shumë të tjera. Nga sot, shumë biznese kanë të drejtë funksionimi dhe nuk ka kufizime për lëvizjen e lirë të qytetarëve, gjithnjë duke aplikuar masat mbrojtëse që mundësia e përhapjes së koronavirusit të jetë më e vogël.
Lehtësimi i masave kufizuese i jep një shpresë rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës. Shumë biznese me të drejtë dhe padurim presin të shohin se si do te jetë realiteti i ri ekonomik në Kosovë. Tashmë, si duket, ka ardhur momenti ku shumë prej nesh do ta kuptojnë dhe ballafaqohen me vlerësimet tona për ndikimin që mund të këtë pandemia Covid-19 në ekonominë tonë dhe sa mund të jetë e shpejtë rimëkëmbja. Vlerësimet preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike prej -5.9 për qind për vitin 2020. Në ndërkohë, Unioni Evropian është duke përgatitur investime masive për t’i ndihmuar njerëzit dhe bizneset në tejkalimin e recesionit ekonomik për shkak të pandemisë Covid-19. Më 27 maj 2020 Komisioni Evropian prezantoi në Parlament një plan të stimulimit ekonomik prej 750 miliardë euro, së bashku me propozimin për rishikim të buxhetit të Unionit Evropian për vitet 2021-2027. Ky plan i stimulimit ekonomik do t’i lehtësojë dëmet ekonomike të shkaktuara nga goditja e pandemisë së Covid-19 dhe do të hapë rrugë për një të ardhme më të mirë ekonomike.
Qeveria e Kosovës ka krijuar grupin punues për hartimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike, i cili përbëhet nga Zyra e Kryeministrit, ministritë relevante ekonomike, Banka Qendrore, Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive, komuniteti i biznesit dhe ekspertë të jashtëm. Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe BQK-ja organizuan një takim me bankat komerciale në Kosovë, përfaqësues të bizneseve dhe FKGK-në. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe i masave të deritanishme, për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e shkaktuara nga pandemia Covid-19, si dhe diskutimi i planit të rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim. Në këtë takim BQK-ja paraqiti idetë e saj të përmbajtjes së planit të cilat gjithashtu i kishte propozuar në grupin punues. Sipas BQK-së fokusi kryesor i planit të rimëkëmbjes ekonomike duhet të mbetet rritja e qasjes në financim me qëllim të rritjes së kreditimit. Rritja e kreditimit është një parakusht për rimëkëmbjen ekonomike. Në këtë drejtim FKGK-ja duhet të këtë rolin kryesor. Për këtë qëllim BQK-ja ka propozuar jo vetëm rritjen e kapitalit të fondit por edhe zgjerimin e gamës së kredive të cilat duhet t’i garantojë.
Duke pasur parasysh pasojat ekonomike të pandemisë Covid-19, FGKP-ja duhet që të fokusohet edhe në garantimin e kredive të bizneseve që përgjatë periudhës së pandemisë kanë hasur në rënie të aktivitetit ekonomik. Për më tepër, FGKP-ja duhet që për sektorë të caktuar të rritë shumën e garantuar me masën 80 për qind dhe 100 për qind. Në këtë rast duhet të shfrytëzohet mundësia e përmirësimit të strukturës së PBB-së përmes favorizimit të sektorëve të caktuar ekonomikë dhe të mundësohet rritja e kapaciteteve prodhuese vendore, rritja e punësimit dhe rritja e eksporteve me qëllim të përmirësimit të bilancit tregtar. Në këtë drejtim pakoja duhet që në mënyrë specifike të orientohet në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe jo vetëm të adresoj vështirësitë aktuale në këtë sektor, por gjithashtu të përmirësoj kushtet aktuale të këtij sektori me qëllim që të jetë më konkurrent në tregun vendor dhe të zhvillojë kapacitete për të konkurruar edhe në tregun ndërkombëtar. Për të arritur këtë qëllim pakoja duhet gjithashtu të marrë në konsideratë subvencionimin e normave të interesit në mënyrë që të lehtësojë edhe më shumë qasjen në financa dhe të nxisë kërkesën për kredi investive.
Një ndër sektorët që është goditur shumë nga pandemia Covid-19 është sektori i hotelierisë, restoranteve dhe kafeneve (HORECA) që pritet që ta ketë më të vështirë rimëkëmbjen në muajt në vijim. Ky sektor duhet të përkrahet gjithashtu pasi që ka një numër të lartë të të punësuarve. Vështirësitë në këtë sektor do të ndikojnë dukshëm edhe në rënien e kërkesës agregate.
Rinia e Kosovës ka një potenciali të madh dhe njëkohësisht duhet shfrytëzuar për përmirësimin e strukturës se BPV. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike dhe FGKP-ja duhet të orientohen në përkrahjen e sektorëve, që mundësojnë punësimin e të rinjve dhe përkrahjen e iniciativave të të rinjve.
Roli i bankave do të jetë kyçë në implementimin e këtij plani dhe besoj që oferta për financim do të jetë e mjaftueshme për të përmbushur rritjen e kërkesës të stimuluar nga plani i rimëkëmbjes. Bankat në këtë takim shfaqen gatishmëri për të ndihmuar në këtë proces.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të këtë barrë të madhe jo vetëm financiare por edhe operacionale në implementimin e pakos së rimëkëmbjes. Për të rritur qasjen në financa dhe për të garantuar kreditë nëpërmjet FKGK-së duhet që të bëhen ndryshime ligjore për të mundësuar edhe garantimin e kredive ndaj individëve dhe korporatave. Garantimi i kredive për individët dhe korporatat nëpërmjet këtij fondi nuk është aktualisht i mundshëm me kornizën ligjore aktuale. Është me rëndësi të madhe të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore me qëllim të baraspeshimit të pakos duke garantuar edhe kreditë e dy kategorive të përmendura më sipër, si dhe të bizneseve tjera të cilat aktualisht nuk kanë të drejtë të aplikojnë për garanci kreditore. Koha e implementimit të pakos së rimëkëmbjes është shumë me rëndësi. Për këtë qëllim FKGK-ja duhet që në kohë të shkurtër të rritë kapacitet operacionale në mënyrë që të mos ketë vonesa në implementimin e pakos së rimëkëmbjes.
Kosova është një nga ekonomitë me varësi të lartë nga remitencat. Remitencat në vitin 2019 ishin 852 milion euro apo 12 për qind e BPV. Remitencat do të jenë në fokusin e të gjithë ekonomistëve të Kosovës për shkak të rëndësisë së madhe që kanë në BPV si një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit. Në muajin prill 2020 remitencat arritën shumën prej 59 milion euro dhe kishin shënuar rënie për 14.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Në kuadër të remitencave janë rritur të hyrat përmes transfereve që kryhen nga Operatorët që Transferojnë Para (OTP). Gjatë muajit prill, përmes OTP-ve janë dërguar në Kosovë 52 milionë euro (49 për qind më shumë se në prill 2019). Remitencat që dërgohen në llogari përmes bankave kanë shënuar rënie. Në prill 2020 kanë sjellë rreth 7.4 milionë euro remitenca. Kjo vlerë paraqet rënie për 21.5 për qind krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar. Remitencat që vijnë përmes “kanalit joformal” për muajin prill janë vlerësuar si zero dhe natyrisht që ky vlerësim pritet që të ketë rritje me hapjen e kufijve.
Sipas parashikimeve të BQK-së remitencat, në vitin 2020 pritet të shënojnë rënie prej minus 4.7 për qind. Rënia e remitencave pritet të ndodhë për shkak të tkurrjes së aktivitetit ekonomik në vendet kryesore ku janë lokalizuar emigrantët si dhe kufizimit të lëvizjes.
Sektori Bankar ka mbetur shumë stabil krahasuar me 16 mars 2020. Likuiditeti i tyre është mjaft i lartë. Më 31 maj 2020 raporti i likuiditetit është 36.1 për qind dhe mjetet likuide arrijnë shumën prej 1.23 miliardë euro. Përkundër masave kufizuese na muajt prill dhe maj 2020 bankat kanë arritur që të lëshojnë 93 milionë euro kredi të reja. Kjo shifër sigurisht që është më e ulët krahasuar me kushtet normale, megjithatë është një tregues i mirë duke pasur parasysh masat kufizuese të pandemisë. Gjithashtu bankat kanë mirëmbajtur nivelet e mjaftueshmërisë së kapitalit.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit prill 2020 ishte 16.6 për qind. Nivelet e mjaftueshmërisë së kapitalit sigurojnë absorbim të humbjeve të pritura kreditore dhe rritjen e kreditimit pas pandemisë që në të njëjtën kohë është edhe synim i planit të rimëkëmbjes. Gjatë fazës emergjente bankat janë ballafaquar me një numër të madh të kërkesave për shtyrje të kredive. Deri në fund të muajit prill 2020 numri i kërkesave për shtyrje të kredive kishte arritur në 69 mije që përbenin afro 1.6 miliardë euro të shumës së kredive. Nga këto kërkesa ishin aprovuar afro 61.5 mijë ose 1.5 miliardë euro të shumës. 70 për qind e totalit të kërkesave ishin për persona juridikë dhe më shumë se 99 për qind e kërkesave të personave juridikë ishin aprovuar. Sistemi bankar ka qenë shumë bashkëpunues gjatë fazës emergjente dhe pritet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike.
Institucionet mikrofinanciare dhe ato jobankare mbeten një shtyllë shumë e rëndësishme për mbështetjen e ekonomive familjare dhe implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike. IMF-të dhe IFJB do të kenë rol të rëndësishëm në kreditimin me kushte të volitshme të ekonomive familjare me qëllim të rritjes së fuqisë blerëse për të mbajtur në nivel të kënaqshëm kërkesën agregate në treg.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës në muajin maj 2020 ka treguar performancë pozitive. Deri më 29 maj 2020 humbja për vitin 2020 ishte vetëm 28 milion euro që paraqet një kthim prej minus 1.44 për qind. Në këto rrethana të paprecedentë historikisht vlerësohet se performanca e Trustit ka qenë e kënaqshme. Ngritjet e fundit në tregjet financiare janë një sinjal pozitiv lidhur me periudhën pas pandemisë në tregjet globale. Natyrisht se rimëkëmbja në ekonomitë e zhvilluara do të ndikojë edhe në shumën e remitencave në Kosovë meqenëse pjesa me e madhe e diasporës ndikohet nga këto zhvillime. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës konsiderohet edhe mundësi e financimit të një pjese të pakos së rimëkëmbjes, por gjithmonë duke pasur parasysh koncentrimin e rrezikut dhe interesin e kontribuuesve. Në fund te tremujorit të parë të vitit 2020 FKPK-ja kishte 550 milionë euro të investuara në Kosovë ku prej tyre rreth 300 milionë ishte në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Në fund të muajit maj 2020 mjetet e FKPK-së të investuara në Kosovë arrinin shumën prej 614 milionë euro që paraqet një rritje prej 12 për qind krahasuar me muajin mars 2020. Nga kjo shumë 391 milionë euro ishin në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës që paraqet një rritje prej 91 milionë euro apo 30 për qind në krahasim me muajin mars 2020.
Sektori i sigurimeve gjithashtu ka qenë i ndikuar nga pandemia Covid-19. Gjatë pandemisë kishte rënie të shitjes se policave të sigurimit. Në 4 muajt e parë të vitit 2020 krahasuar me vitin 2019 numri i policave të sigurimit kishte rënie për afro 28 mijë, nga 131 mije në 103 mijë apo 21.5 për qind më pak. Vetëm muaji prill 2020 krahasuar me prill 2019 kishte një rënie të numrit të policave të sigurimit prej 47 për qind nga 39,021 në 20,643. Policat kufitare kishin rënë për 77.76 për qind nga 34,197 në 7,603. Në po të njëjtën kohë policat tjera gjithashtu kishin shënuar rënie për 43.31 për qind nga 28,856 në 16,357. Heqja e masave kufizuese dhe lëvizja e lirë pa dyshim se do të ndikojë në rritjen e numrit të policave të sigurimit dhe do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanive të sigurimit. Hapja e kufijve do të ndikojë sidomos në rritjen e policave kufitare.
Duke pasur parasysh ndikimin negativ të pandemisë në likuiditetin dhe aftësinë paguese të kompanive BQK-ja më herët në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave kishte marrë vendim për shtyrjen e pagesës së kredive deri më 16 qershor 2020. Kjo ishte bërë me qëllim të lehtësimit dhe sigurimit të likuiditetit të kompanive gjatë fazës emergjente. Megjithatë BQK-ja ka marrë parasysh edhe pasojat që mund të vijnë pas fazës emergjente. Për këtë qëllim BQK-ja ka draftuar udhëzuesin për ristrukturimin e kredive të afektuara nga pandemia Covid-19 i cili pritet të aprovohet në Bordin ekzekutiv të BQK-së pas pranimit të komenteve nga bankat. Qëllimi i këtij udhëzuesi është që t’u ofrojë kredimarrësve, huadhënësve dhe institucioneve tjera, informacion lidhur me parimet dhe udhëzimet që kanë të bëjnë me procesin e ristrukturimit të kredive. Qëllimi i udhëzuesit është vendosja e kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredisë, në mënyrë që bankat t’u ofrojnë kredimarrësve në vështirësi financiare mundësinë që t’i përmbushin detyrimet e parapara me kontratë, dhe t’u mundësojnë rikthim në normalitet të aktivitetit të tyre biznesor dhe të lehtësohen obligimet kreditore të individëve duke i zgjatur afatin e pagesës apo lejimin e një greis periudhe më të gjatë.
Me këtë udhëzim, BQK inkurajon institucionet kredidhënëse, që gjatë periudhës së rimëkëmbjes ekonomike, të mos angazhohen në likuidimin e kolateralit, duke përdorur mekanizma jashtë gjykatës dhe/ose procedura ligjore por të punojnë në mënyrë konstruktive me kredimarrësit që ristrukturimi të jetë i kujdesshëm dhe me kushte të përshtatshme.
Në mjedisin aktual ekonomik, vlerësimi i Humbjeve të Pritura Kreditore duhet të marrë parasysh natyrën e përkohshme të ndikimit të virusit, informacionin më të mirë të disponueshëm, dhe masat përkatëse të mbështetjes fiskale dhe përdorimi i një sërë skenarëve për të mbështetur analizën e rrezikut të kredisë, duke përfshirë skenarin e pafavorshëm në situatën aktuale. Institucionet kredidhënëse duhet të ushtrojnë gjykim të shëndoshë dhe jo aplikim mekanik në zbatimin e kërkesave të SNRF 9 Instrumentet Financiare veçanërisht në këtë kohë kur ekziston një situatë e konsiderueshme e pasigurisë.
BQK-ja u bën thirrje Institucioneve kredidhënëse që të zbatojnë parimet udhëzuese “SNRF 9 dhe Covid-19” për aplikimin e Humbjeve të Pritura Kreditore sipas SNRF 9 Instrumentet Financiare të publikuara më 27 mars 2020 nga Fondacioni i SNRF-ve. Ky dokument shërben si përgjigje ndaj shumë pyetjeve lidhur me aplikimin e SNRF 9 Instrumentet Financiare gjatë kësaj periudhe të paqartësive të mëdha ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime pozitive, rritet shpresa dhe njëkohësisht gradualisht zvogëlohet frika e qytetarëve për të ardhmen ekonomike. Kjo është një shenjë që rimëkëmbja ekonomike do të arrihet në një kohë të shkurtër.
(Autori është guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës)