Federer: Kjo është dhurata më e bukur që kam marrë nga një turne
Tenisti zviceran Roger Federer ka rrëfyer gjatë një interviste se ka marrë një dhuratë të veçantë nga organizatorët e grand slam të Wimbledon. Në këtë turne ai ka fituar 8 herë në karrierën e tij dhe në dy raste ka marrë si dhuratë rrjetën e finales, ku ai ka fituar.
“Gjithnjë jam munduar të marrë një souvenir nga turnetë e mi”, tha Federer, fitues i 20 grand slam në karrierën e tij. “Nuk bëhet fjalë për këpucë apo uniforma të turneve që fitoj, të cilët i ruaj. Në dy raste, nga Wimbledon kam marrë dhuratë rrjetën e finales ku kam fituar”, tha Federer.
“E kam ende të palosur në shtëpinë time, por një ditë do të më pëlqente ta hapja dhe ta vendosja në një mur, në mënyrë që ta shoh. Kjo është një dhuratë e veçantë, më e bukura e karrierës time. Kam një lidhje të veçantë me këtë turne, ndaj e vlerësoj shumë atë dhuratë”, u shpreh Federer.