Federata e Volejbollit synon ta shtrijë aktivitetin edhe nëpër burgje
Ka kohë që volejbolli në konkurrencë të femrave në Kosovë tërheq më shumë vëmendjen e publikut. E në linjë me këtë dukuri, zyrtarë të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), thonë se ekziston një klub volejbolli në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, sa që lë pa fjalë.
Në fakt, FVK-ja tregon se në kuadër të qendrave të Shërbimit Korrektues në gjithë vendin janë disa ekipe volejbolli, të meshkujve dhe të femrave. Ka edhe skuadër të të burgosurve të mitur. Për këtë, FVK-ja ka shprehur dëshirën të ofrojë ndihmën e saj në organizim sa më të mirë të garave në këto qendra, pastaj t’i ofrojë përvojën dhe pajisjet, për aq sa ka mundësi, shkruan Koha Ditore.
Zyrtarë të FVK-së, së fundi janë takuar me përgjegjësit e Shërbimit Korrektues për më shumë informata.
Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së, ka folur edhe për mundësinë që përfaqësueset e Kosovës, si dhe klubet, të luajnë ndeshje miqësore me ekipet e atyre që po vuajnë dënimet. Për përfshirjen e ndonjë skuadre në sistemin e garave, tash për tash, thotë se është herët të flitet. /FaktePlus