FC Prishtina: E kemi të sigurt pjesëmarrjen në garat evropiane, por duam rikthimin e futbollit në fusha të blerta
Klubi nga kryeqyteti është në taborin e atyre që duan rifillimin e sezonit, duke konsideruar se kjo është më e mira për sportin vendor.
Madje, ‘Bardhekaltrit’ argumentojnë se ata tashmë kanë siguruar Evropën, por nuk duan të luajnë atje duke shkelur rregullat elementare të futbollit.
Kështu, ata duan që sa më parë futbolli të rikthehet në fushat e blerta, dhe gjithçka të vendoset aty.
Më poshtë reagimi i FC Prishtina, ku mund të gjeni edhe argumentet e tyre.
FC Prishtina e ka të siguruar Evropën
Që tani, skuadra jonë, në rrethanat aktuale, e ka siguruar Evropën. Por, klubi ynë nuk donë që në këtë mënyrë t’i shkel rregullat elementare të futbollit të luajtur. Andaj këmbëngulim që futbolli t’i rikthehet fushës së blertë
Argumentim:
Prishtina e treta e pozicionuar në klasifikim
1) FC Prishtina, momentalisht pas 22 javësh pozicionet e 4-ta me 41 pikë sa ka edhe Gjilani. Por, Prishtina ka bilanc të ndërsjellë pozitiv kundër Gjilanit me një fitore dhe një barazim. Dhe, nëse FFK i shpall garat të përfunduara, atëherë në fuqi hyn Neni 65 i Propozicioneve të garave ku në rast të pikëve të barabarta, vendos rezultati dhe goldallimi i ndeshjeve të ndërsjella, si në rastet kur shpallet ekipi kampion, dalja në Evropë, rënia nga Liga apo shkuarja në barazh. Pra Prishtina do të përfundonte e treta. Po ashtu, nëse kampionati shpallët i përfunduar edhe pse janë zhvilluar 22 ndeshje duke ngelë edhe 11 sosh, atëherë në fuqi duhet të hyjë vendimi i Komitetit Ekzekutiv që Superliga për edicionin 2020/21 të reduktohet në 10 skuadra duke rënë nga kjo kategori katër skuadrat e fundit të klasifikuara. Çdo vendim ndryshe në rast të përfundimit të kampionatit, FC Prishtina e sheh si shkelje të Propozicioneve të Garave dhe shkelje e vendimit të marrë nga KE e FFK.
Prishtina koeficientin më të mirë
2) Në rastin nëse FFK do të suspendonte/anulonte kampionatin dhe nuk do të shpallej kampioni dhe nuk do të binte asnjë skuadër nga elita, dalja në garat ndërkombëtare do të ndodhte ekskluzivisht vetëm sipas modelit të koeficientit më të lartë në garat ndërkombëtare.
Me këtë rast, FC Prishtina jo vetëm që e ka të siguruar daljen në Evropë, por si skuadra më e mirë kosovare me koeficientin më të madh me 1.750 pikë do të merrte pjesë në Ligën e kampionëve, kurse Feronikeli dhe Drita me 1.500 (Feronikeli do të kishte përparësi si skuadra e fundit pjesëmarrëse në Evropë) do ta siguronin pjesëmarrjen në Ligën e Evropës dhe Trepça ’89 ndodhet e fundit me 0.500 pikë.
Konstatim:
Andaj, FC Prishtina, fare nuk e ka brengën e daljes në Evropë nëse nuk do të vazhdonte kampionati, në çdo variant të mbylljes së saj.
Por, kjo nuk është as etike, as sportive dhe FC Prishtina me këmbëngulje kërkon që rezultati përfundimtar të arrihet vetëm në fushën e blertë, kurdo që arrihet ujdia të nis kampionati, me 1 qershor apo 15 qershor.
Përndryshe, FC Prishtina, në rast të moszbatimit të asnjërit nga dy konstatimet e lartcekura, atëherë nuk do ta njoh të rregullt e as të bazuar në rregulloret valide të FFK-së. Klubi ynë i bënë apel të gjitha klubeve që njëzëri të bëjnë trysni që sa më parë të rifilloj kampionati dhe vetëm pas zhvillimit edhe të 11 ndeshjeve të mbetura dhe atyre pesë për Kupë, më të mirët të përzgjidhen në bazë të suksesit nga vetë futbollistët, si shpallja e ekipit kampion, si skuadra e dytë e shpallur nënkpampion dhe fituesi i Kupës – vende këto që dërgojnë në Evropë dhe po ashtu si katër skuadrat që do të linin elitën e futbollit tonë – të gjitha këto të arrihen vetëm në fushën e blertë.